Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të hap rrugë për drejtësi. Sipas saj, prioritet i qeverisë mbetet padia për gjenocid nga Serbia. Ajo shton se kanë pasur disa takime me ekspertë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Megjithatë, njohës të sistemit të drejtësisë konsiderojnë se një gjë e tillë është e pamundur.
Ministrja Haxhiu thekson se Serbia vazhdon të mos i dorëzojë autorët e krimeve gjatë luftës ndaj shqiptarëve të pafajshëm.
“Adresimi i krimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës, ju e dini që ka qenë prioritet i qeverisë. Në këtë drejtim më lejoni vetëm shkurtimisht t’i përmend disa prej veprimeve që i kemi ndërmarrë dhe në këtë rast siç e dini në vitin e kaluar ne kemi ngritur për herë të parë me ligj një institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Në anën tjetër kemi adresuar çështjen e gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës duke pasur parasysh faktin që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe në anën tjetër kemi adresuar strategjinë për drejtësinë tranzicionale, e cila është për momentin në vlerësim financiar nga Ministria e Financave dhe do të procedohet për votim në mbledhjen e Qeverisë, pra që adreson nevojat që kanë viktimat,” deklaron Haxhiu.
Ajo thotë se e kanë në prioritet edhe padinë për gjenocid, ku kanë pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertë të profilizuar me krimin që ndërlidhet me gjenocidin.
“E kemi në programin qeverisës dhe prioritet edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje nuk mund të jap më shumë informacione. Ndërsa, natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës ne na hapen shumë rrugë dhe sigurisht bazuar në këtë do të vlerësojmë edhe veprimet që dalin pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që ta shfrytëzojmë si mekanizëm në kuptim të vendosjes së drejtësisë”, thotë ministrja e Drejtësisë.
Së fundmi është thënë se Kosovës do t’i mundësohet padia për të pagjeturit pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj shprehet se pala kosovare duhet të insistojë në zbatimin e deklaratës për të zhdukurit në Bruksel.
“Pala kosovare ishte dashur që të insistojë në zbatimin e deklaratës së përbashkët të kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, pra në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ishte dashur që të bëhet presion në hapjen e arkivave dhe dhënien e informacioneve mbi fatin e personave të zhdukur. Padia nëse është e mundur, unë nuk e di në çfarë rrethanash do të jetë e mundur, por kam frikë se mund të jetë kundër produktive që të krijojë një lloj rezistence nga pala tjetër, nga pala serbe që të zbatojë dakordimet që janë arritur në lidhje me personat e zhdukur. Dhe eventualisht mos të afrojë asnjë informacion mbi lokacionet e mundshme të varrezave apo vendeve ku mund të jenë trupat e personave të zhdukur”, deklaron Blakaj për KosovaPress.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi thotë se Kosova është më mirë që të hartojë një rezolutë për të dënuar gjenocidin.
“Kosova mund ta bëjë një padi, mund të jetë edhe individuale, por pikë së pari është mirë ta bëjë një rezolutë, ajo mund të bëhet shumë më shpejt. Nëse ka një harmoni dhe bashkëpunim mes shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe Kosovës për një rezolutë fillimisht që të dënohen masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë, kjo mund të arrihet shumë shpejt, sepse kjo është vendim politik por nuk është i obligueshëm. Mandej Kosova duhet parë aspektin ligjor se a mund ta padisë Serbinë, apo në mënyrë individuale secili qytetar që ka pësuar dëme në njerëz, materiale, mund ta padisë. Por ky proces së pari duhet të përfundojë në gjykata vendore”, thekson ai.
Edhe avokati Ardian Bajraktari konsideron se është e vështirë që të bëhet padi për të pagjeturit.
“Do të jetë vështirë e mundshme një gjë e tillë, për faktin se ne nuk jemi palë e Konventës të ratifikuar, mirëpo ne Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sikurse edhe një numër të konsiderueshëm të instrumenteve ndërkombëtare e kemi pjesë përbërëse të legjislacionit tonë përkatësisht pjesë të Kushtetutës të paraparë në nenin 22 të saj….Angazhimi i institucioneve të Republikës tonë, me theks të veçantë në koordinim dhe në bashkëveprim edhe me akterët relevantë, miqtë tanë, me theks të veçantë BE-në nuk do të duhej të ndalej deri në zbardhjen e fatit edhe të zhdukurit të fundit. Sepse është plagë e hapur, është plagë që kullon tash e 25 vjet që ka përfunduar lufta”, përfundon ai.
Sipas tij, edhe padia për gjenocid është e pamundur për shkak se Kosova nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Edhe pas 25 vjet pas luftës, në Kosovë janë mbi 1600 persona të pagjetur./Kosovapress