Pas anulimit të tenderit të rregullt për shtypjen e fletë-votimeve, KQZ ka anuluar edhe tenderin për shërbimin postar të votuesve jashtë vendit.
Këto anulime të cilat po bëhen pak javë para zgjedhjeve, ngritin dyshime se tenderët për këto punë do të jenë të negociuar.
Në fund të vitit të kaluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) anuloi tenderin për shtypjen e fletë-votimeve dhe materialit tjetër sensitiv për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, raporton Gazeta Insajderi, transmeton Gazeta Enigma.
Deri më tani nuk ka ndonjë njoftim që KQZ-ja ka shpallur tjetër tender për këtë shërbim, mirëpo dihet që deri në ditën e zgjedhjeve kanë mbetur edhe një muaj e pak ditë.
Derisa nuk ka njoftim për tender të rregullt për fletë-votimet, KQZ-ja ka anuluar edhe një tender tjetër që lidhet direkt me ditën e votimeve të 9 shkurtit.
KQZ-ja ka anuluar tenderin “Shërbime postare për votime jashtë Kosovës”, që ishte parashikuar të jetë 300 mijë euro punë.
Në vendimin e anulimit që e ka nënshkruar Gani Nekaj, citohet neni i Ligjit të Prokurimeve që thotë se ‘një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit’.
Në vendimin e nënshkruar nga ky zyrtar, bëhet me dije se kishin një kompani që aplikoi, por diçka ndodhi brenda KQZ-së.
“Zyra e Prokurimit —KQZ me datë 25.12.2024 , ora 13:33 ka pranuar emailin nga njësia e kërkesës me specifikat e korrigjuara për shërbimet postare. Si rezultat i nevojës për korńgjłme te specifikimeve telałike KQZ ne pa mundësi për te bërë korrigjimet e nevojshme ne dosje te tenderit ne ditën e fundit te dorëzimit te ofertave anulon aktivitetit e prokurimit dhe se shpejti do te retenderon sipas specifikimeve te korrigjuara”, thuhet në këtë njoftim. /Gazeta Enigma