Kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u luajtur në Superligën e Kosovës në futboll.
Tashmë veçse kampioni i Kosovës është shpallur edhe matematikisht. Sezonin 2021/22 e ka fituar skuadra nga Suhareka, FC Ballkani, raporton Gazeta Enigma.
Ekipet që deri më tani i kanë siguruar garat evropiane janë, Ballkani, Gjilani dhe Drita. Kurse, Llapit i duhet vetëm edhe një pikë.
Feronikeli dhe Ulpiana edhe zyrtarisht sezonin tjetër garat do t’i zhvillojnë në Ligën e Parë, kurse lufta më e madhe po zhvillohet për t’i ikur vendit të tetë që çon në barazh.
Drenica, Malisheva, Dukagjini dhe Prishtina janë ekipet që deri në fund do luftojnë për t’i ikur kësaj pozite.
Në kuadër të xhiros së 34-të, skuadra e Dukagjinit do të udhëtojë në Gjilan për t’u përballur me ekipin e Dritës.
Gazeta Enigma e ka kontaktuar mbrojtësin e majtë të Dukagjinit, Arbër Shalën, i cili ka folur për ndeshjen e nesërme.
Mbrojtësi nga Rahoveci beson fuqishëm se skuadra e tij edhe në ndeshjen ndaj Dritës do marrë rezultat pozitiv.
“Këto xhirot e fazës së katërt kemi një ecuri shumë pozitive, e cila ka ardhur në momentet e duhura, duke e pa pozitën që jemi, duke u munduar të shmangemi nga barazhi, besoj se edhe ndeshjen ndaj Dritës do të marrim një rezultat pozitiv dhe të vazhdojmë deri në sfidën e fundit m këto rezultate, në fund mendoj që nuk do jemi në barazh”, ka thënë Shala.
Mbrojtësi ka treguar se atmosfera në skuadrën nga Klina është fantastike.
“Atmosfera është shumë e mirë brenda grupit, mendoj që ky është celësi i suksesit të rezultateve pozitive që kemi arritur deri më tani”, shtoi më tutje Shala.
Për fund, futbollisti 30-vjeçari ka edhe një premtim për tifozët, “Hithat”, të cilët po e përkrahin vazhdimisht ekipin e tyre të zermës.
“Tifozëve ju premtojmë që edhe ndeshjen e radhës do ta japim maksimumin sikurse të gjitha ndeshjet e kaluara, besoj që nuk do t’i zhgënjejmë në fund sepse futbolli luhet edhe për tifozë, ata janë lojtari i 12-të i ekipit”, përfundoi Shala.
Dukagjini pas 33 xhirove pozicionohet në vendin e gjashtë me 45 pikë të mbledhura, dy më shumë se Drenica e cila gjendet në zonën e rrezikshme.
/GAZETA ENIGMA/