Analisti, Ardian Arifaj, e vlerëson lartë pjesëmarrjen e Kosovës në Forumin e Bledit që po mbahet në Slloveni.
Arifaj tha se për një shtet të vogël si Kosova pjesëmarrja në forume të ndryshme është mundësi e mirë për t’ju kundërpërgjigjur Serbisë.
“Pjesëmarrja në forume të ndryshme është e një rëndësie shumë të madhe për një shtet të vogël si Kosova, forumet si këto sigurojnë përfaqësim për të shpalosur të arriturat e Kosovës dhe mundësi t’i përgjigjen Serbinë në fushatën e tyre për ç’njohje të Kosovës. Po ashtu në këto forume është e rëndësishme që mund të takosh shumë liderë shtetet e të cilëve që nuk e kanë njohur Kosovën”.
Arifaj kujton kohën e pjesëmarrjes nëpër forume kur ishte ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi teksa e vlerëson edhe paraqitjen e kryeministrit, Albin Kurti.
“Kur kemi qenë me ish-presidentin Thaçi ka pasur takime të rëndësishme me liderë të rëndësishëm botërorë. Me bashkëbisedues mund të shkëmbesh informacione të rëndësishme se ku kanë arritur marrëveshjet e rëndësishme të përbashkëta e bisedime të tilla mund të bësh edhe në pushime për kafe e jo vetëm në takimet formale”.
“Është një mundësi shumë e rëndësishme pjesëmarrja edhe në Forumin e Bledit ku po merr pjesë edhe kryeministri, Albin Kurti”, tha Arifaj.