Fat quhet edhe gjetja e një shtrati për mjekim në Pulmologji

Fat quhet edhe gjetja e një shtrati për mjekim në Pulmologji

Posa të hedhësh hapin e parë në një objekt e Klinikës së Pulmologjisë, sheh një realitet krejt ndryshe. Të rinj e të moshuar luftojnë që të marrin frymë. Aty njeri me fat konsiderohet ai që arrin të gjejë një shtrat të lirë, e një bocë oksigjeni.

Një mesin e dhjetëra pacientëve të infektuar me COVID-19, në Klinikën e Pulmologjisë, ka mbetur vetëm edhe një shtrat i lirë. Një shtrat për personin, i cili në këtë fatkeqësi do të ketë fatin që do ta ketë një vend se ku të mjekohet.

Çdo dhomë në Pulmologji është e mbushur me pacientë. Me të rinj dhe të moshuar. Gati se të gjithë të lidhur për aparatet e frymëmarrjes. Shihen mes vete, por zor se mund të flasin.

Një 80-vjeçar tregon për Express se tashmë që dy javë është në luftë me virusin, e që gjendja e tij ka qenë shumë e rënduar.

Ai ka treguar se nuk është i vaksinuar kundër COVID-19, ndonëse duket pishman që nuk e ka bërë një gjë të tillë.

E dhomën e njëjtë me të e ndan një i ri. Virusi nuk e ka kursyer as atë e të rinj tjerë që kanë mbushur dhomat e Pulmologjisë.

Ndërsa familjarë te pacientëve sillen nëpër koridoret e klinikës dhe duken të lodhur e të humbur. Kërkojnë ndihmë për familjarët e tyre.

Ata qëndrojnë afër pacientëve, e u ndihmojnë në çdo gjë që kanë nevojë, kështu edhe u lehtësojnë punën punëtorëve shëndetësorë të cilët nuk janë të shumtë në numër.

Këta të fundit po ashtu shprehen të lodhur me gjendjen e krijuar, një gjendje që ata duket se nuk i frikëson më.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, tregon se 88 pacientë të infektuar janë të shtrirë në këtë klinikë.

Ai thotë se gjendja e pacientëve është e rënduar, por stabile.

“Sot në Pulmologji kemi 89 vende, 88 të shtruar. Gjendja e tyre është e rënduar por stabile, mesatare. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve janë që kanë nevojë për oksigjeno-terapi, nga 88 të shtruar i kemi diku 83 raste që janë me oksigjeno-terapi. Nga ky numër, 4 raste i kemi pak më të rënda që kërkojnë mbështetje më të madhe me oksigjeno-terapi. Për momentin e kemi vetëm edhe një vend të lirë, por për rastet që vinë te ne për t’u shtruar, ne i drejtojmë në Mjekësinë Sportive II”, deklaron ai.

Hoxha tregon se në mesin e pacientëve, janë edhe 15 pacientë që janë të vaksinuar, ndonëse gjendja e tyre është më e mirë.

“Prej pacientëve të cilët i kemi të shtruar, 7 janë me dy vaksina, 8 janë me 1 vaksinë. Gjendja e tyre është më e mirë dhe shihet se klinikisht ata janë më të qëndrueshëm dhe me problem më të vogla edhe respiratore edhe në aspektin e pneumonive të dyanshme, radioligjikisht janë më pak të përhapura ato pneumoni dhe klinikisht janë shumë më stabil se rastet që janë të pa vaksinuara”, ka theksuar ai.

Tutje Hoxha thotë se virusi lë pasoja të mëdha në sistemin respirator dhe sulmon mushkëritë.

“Edhe ky variant që është përhapur dhe që është aktual, varianti Delta, është sikur variantet tjera paraprake por është shumë më agresiv dhe shumë më infektues. Sa i përket pasojave që le ky, pasojat më të mëdha janë të sistemit respiratorë dhe atakon mushkëritë duke krijuar edhe pneumoni dhe mos të them në disa raste edhe mjaft të zgjeruara edhe me problem të hiposatorimit, zvogëlimit të oksigjenit në gjak, për shkak të ndërrimeve dhe dëmtimeve në indin parankimatoz të të mushkërive”, shton ai.

Në gjendje të rëndë janë edhe klinikat tjera COVID në QKUK e spitalet e përgjithshme.

Të gjithë pacientët e infektuar po luftojnë për të jetuar. Betejën më së lehti po e fitojnë ata që po vaksinohen kundër COVID-19.

Related Articles