Armatim, këmisha të Policisë së Serbisë , mina e shumë gjëra të tjera ilegale, janë gjetur në një shtëpi të braktisur në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimi nga Policia e Kosovës, aty janë gjetur një karikator të zbrazet për armë të gjatë; Një bajonetë; Shishe plastike e mbushur me saqme; Kapsula për fishek; Sasi e barutit; Një rrip brezi ushtarak; Një minë kundër këmbësorie; Pjesë për mbushje të fishekëve; Detonator për mina; Targa të automjetit të ish-Milicisë; Tre fishekë të armës së gjuetisë; Trembëdhjetë (13) fishekë të kalibrave të ndryshëm; Dy (2) fishekë të kalibrit 12.7 mm; Dy (2) fishekë të kalibrit 20 mm; Dy (2) gëzhoja të kalibrit 12.7 mm; Një xhaketë ushtarake dimërore; Një palë doreza ushtarake; dhe, Katër këmisha të Policisë së Serbisë.
“Pasi që në dëshmitë e gjetura është hasur material i rrezikshëm eksplodues, në vend ngjarje kanë dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve eksploduese (NJTME), të cilët nga vendi i ngjarjes kanë tërhequr sasinë e barutit, fishekët e kalibrit 12.7 mm si dhe 20 mm e po ashtu edhe minën kundër këmbësorie me detonatorin”, ka njoftuar Policia.
Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në njoftim u tha se në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
