Arrestimi i Lulzim Halilit, MPJD: Ende nuk kemi marrë informacine zyrtare nga Serbia

Arrestimi i Lulzim Halilit, MPJD: Ende nuk kemi marrë informacine zyrtare nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ende nuk ka marrë informacione zyrtare nga autoritetet serbe lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili.

Në një reagim zyrtar, MPJD bëri të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac mbrëmjen e 22 korrikut, rreth orës 23:00. Sipas ministrisë, zyrtari policor kujdestar në atë stacion ka refuzuar të japë detaje mbi rastin.

“Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se ka informuar për këtë zhvillim edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it në Serbi, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

MPJD thekson se, sapo të konfirmohet nëse Halili do të përballet me masë paraburgimi dhe do të nisë procedura penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes ku ndodhet ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, që raportohet se u arrestua në Serbi një ditë më parë, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit.

Ai pretendohet se ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.

Radio Televizioni i Serbisë tha se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe më pas ai pritet të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.

Related Articles