Arrestohet një person në Leposaviq, kapet me afro 220 kg mish derri të kontrabanduar nga Serbia

Arrestohet një person në Leposaviq, kapet me afro 220 kg mish derri të kontrabanduar nga Serbia

Policia e ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në fshatin Zërnosek të komunës së Leposaviqit, ku u ndalua një person i dyshuar për hyrje ilegale dhe transport të mishit të derrit të kontrabanduar, raporton Gazeta “Enigma”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë patrullimit të rregullt nga njësia kufitare, është ndaluar personi me inicialet B.M. (i lindur në vitin 1991), i cili kishte hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia përmes rrugëve të paautorizuara.

“I dyshuari po drejtonte një veturë me targa vendore, në të cilën janë gjetur rreth 22 pako mish derri, secila me peshë afërsisht 10 kilogramë. Policia thekson se luftimi i kontrabandës mbetet një ndër prioritetet e saj, jo vetëm si çështje penale, por edhe për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar iniciimin e rastit penal “Kalimi i paautorizuar i vendkalimit kufitar apo vijës kufitare”. Malli i sekuestruar është dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme nga njësitë doganore.

Related Articles