Të hënën rreth orës 09:40, nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar personi dhe automjeti që ka qenë i përfshirë në aksidentin e ndodhur dje në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku është lënduar rëndë një këmbësore 20-vjeçare, raporton Gazeta “Enigma”.
Nga policia kanë njoftuar se fillimisht nga hetuesit është përcjelljë automjeti i dyshuar, derisa ka arritë në një autoservis në Çagllavicë, ku më pas i dyshuari është arrestuar.
“Ka qenë reagimi i shpejtë i hetuesve ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa i cili ishte i dëmtuar”, tha policia.
“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, rasti do të përcillet në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.
Të dielën rreth orës 11:00, në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një automjet në lëvizje dhe një këmbësore. Por, shoferi i veturës kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja 20-vjeçe e cila është dërguar për tretman mjekësor.
Sipas mjekëve gjendja e saj është e rëndë. / Gazeta Enigma.