Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në turneun “Feliks Stamm” që u mbajt në Varshavë, Poloni.
Në finalen e kategorisë deri 60 kilogramë, ajo triumfoi bindshëm ndaj britanikes Elise Glynn me rezultat të pastër 5:0.
Sadiku dominoi në dy raundet e fundit, duke treguar forcë, teknikë dhe përvojë të lartë.
Në rrugëtimin drejt finales, ajo mposhti edhe polaken Aleksandra Jankowiak në çerekfinale dhe italianen Rebecca Nicoli në gjysmëfinale – të dyja me rezultat 5:0.
Turneu u organizua nga World Boxing, federata e re e mbështetur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në të cilën është anëtarësuar edhe Federata e Boksit e Kosovës.
Donjeta synon medalje në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, pas pjesëmarrjes në dy Olimpiada të mëparshme.
Ndërkohë, vëllezërit Shpëtim dhe Bashkim Bajoku u eliminuan në raundin e parë të këtij turneu.