Kanë afër 1 vit e gjysmë që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u privuan nga liria.
Qelinë ku po qëndrojnë, Prokurori i Specializuar po synon t’ua bëjë vendqëndrim edhe për 6 vjet. Kaq kohë ka kërkuar ZPS dënim për ish kreun dhe zëvendësin e tij në OVL. Përveç burgut edhe gjobë prej 100 eurosh.
Për të ardhur në këtë përfundim, pas 5 muajsh gjykim, Zyra e Jack Smith u bazua në 6 akuza, të cilat i përmblodhi në një dosje përfundimtare.
“Midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, të akuzuarit penguan ose tentuan të pengojnë punën e DHSK/ZPS përmes kërcënimeve serioze. Kërcënime këto si shpërndarja e informacionit konfidencial përfshirë emra dhe evidenca të dëshmitarëve, duke deklaruar edhe se të gjithë bashkëpunëtorët e Task Forcës për Hetime Speciale dhe ZPS do të njihen publikisht si gënjeshtarë, spiunë dhe tradhtarë”, thuhet në arsyetimin për akuzën e parë që ZPS ka kundrejt ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës.
Akuza e dytë vazhdon me bashkëpunimet që dy të akuzuarit patën si me sekretarin e OVL-së Faton Klinaku e avokatin Tomë Gashi, dhe të tjerë ish luftëtarë të UÇK-së, veprimet e të cilëve penguan zyrtarët e Hagës t’i kryejnë detyrat. Për të dyja pikat u kërkuan nga 5 vjet burg.
Me 6 vjet burg u pa e dënueshme vepra në akuzën e tretë, që është nxitja për të mos dëshmuar, ose për të dhënë dëshmi të rrejshme pranë Dhomave të Specializuara.
E katërta, thotë se të akuzuarit tentuan të marrin veprime të dëmshme kundër dëshmitarëve të Gjykatës, e pesta ngërthen zbulimin e dosjeve konfidenciale që mbrohen me rregulloren e DHSK, dhe e gjashta zbulimin e të dhënave edhe të dëshmitarëve të fshehtë.
Krejt këto do të diskutohen përgjatë 5 ditëve të javës së ardhshme kur jepen fjalët përfundimtare.