Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka rënë ndesh me fjalët e thëna nga vetë ai pak ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku thoshte se një koalicion me LDK-në nuk do të zgjaste “as pesë orë”.
Ndërkohë, sot, Kurti i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku në njëfarë forme, i lutet që të krijojnë koalicion qeverisës.
Në fushatë në Prizren, Kurti deklaronte atë kohë që me LDK-në e kishte provuar koalicionin, por që kishte zgjatur veç 51 ditë, duke ju referuar vitit 2020, në Qeverinë Kurti 1.
Madje Kurti bënte “be” edhe në Zot, se një koalicion i tillë tani s’mund të zgjas as pesë orë.
“Me këtë rast unë jua konfirmoj edhe njëherë, na e kemi provu koalicionin me ta 51 ditë na ka zgjatë. O për zotin qetash as 5 orë nuk mundet me zgjatë. Kështu që na s‘bojmë koalicion me ta. Na kemi koalicion me njëri-tjetrin edhe me popullin. Vetëvendosje koalicion me Guxo e Alternivën dhe popullsinë e Prizrenit dhe popullin e Kosovës”, thoshte Kurti.
Por, sot Kurti tha se votuesit e VV-së do preferonin një koalicion me LDK-në, si dhe ata të LDK-së me VV-në.
Në letrën e tij, Kurti madje i thekson Abdixhikut se s’ka pasur probleme me të në Kurti1, “por me disa të tjerë që tani s’janë në pozita si aso kohe”.