Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë po duket se do të zgjasë më shumë se telenovela italiane “100 Vitrinat”.
Po bëhen katër vjet që kur u nënshkrua kontrata për ndërtimin e kësaj rrugë. Tash e katër vjet janë përshkuar nga shumë vonesa dhe fare pak punë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një përgjigje dhënë për transmetuesin publik, ka shpërthyer në ‘vajtim’ kur u pyet për autostradën e Gjilanit.
“Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, autostrada me shumë probleme – me probleme të natyrave të ndryshme, mungesa e buxhetit, e shumë të tjera kanë shkaktuar telashe mjaft të mëdha. Gjatë vitit të kaluar ne në buxhet kemi pasur vetëm 2.2 milionë euro për shpronësime për gjithë territorin e Kosovës për të gjitha projektet”, ka thënë ai.
Më tej, Durmishi ka thënë se pret qe të ketë dinamikë në punimet e kësaj rruge, por nuk ka dhënë datë se kur mund të përfundojë.
“Në fund të vitit kemi arritur të shpronësojmë prona në vlerë prej 23 milionë eurosh. Sivjet i kemi 57 milionë euro vetëm për shpronësime dhe pjesën më të madhe në autostradën e Gjilanit i kemi zgjidhur me shpronësime. Sivjet presim që të kemi një dinamikë shumë më të madhe me zhvillimin e punimeve në mënyrë që ta përfundojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë ai.
Përndryshe, Nacionalja ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Ministria e Infrastrukturës, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit përgjigja nuk ka ardhur.
Në anën tjetër edhe Komuna e Gjilanit ka vendosur të heshtë në pyetjet e Nacionales rreth punimeve të autostradës së Gjilanit.
Ndërkohë gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pati thënë se autostrada do të përfundojë.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin”, kishte thënë ai në “Debat Përnime”.
Dhënia e tenderit prej rreth 100 milionë euro për ndërtimin e autostradës A7 (autostrada e Gjilanit) u bë publike në ditën e fundit të qeverisjes së kryeministrit Isa Mustafa, në vitin 2017. Më pas në Qeverinë Haradinaj u ndërruan kompanitë kontraktuese dhe të njëjtat filluan punën. I gjithë procesi tenderues u konsiderua si i dyshimtë.
Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, e quajtur si Autostrada A7. Kontratat e nënshkruara kapën vlerën fiks 88, 618, 511.95 euro.
Fillimisht, procedurat tenderuese u përgatitën nën qeverisjen e Isa Mustafës, ku edhe u shpallën fituesit. Por, me të ardhur në pushtet Qeveria Haradinaj, tenderi shkoi në rivlerësim, dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit, u ndërruan kompanitë.
Pas kësaj, nëshkrimi i kontratës për ndërtimin e autostradës së Gjilanit ishte bërë në vitin 2018 nga ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Lekaj kishte thënë për Gjilanin dhe qytetarët e saj se kjo rrugë nënkupton komunikim më të shpejtë ekonomik e fizik me të gjithë vendin.
Punimet e kësaj rruge ishin paraparë që të përfundojnë pas 2 viteve.
Në Kosovë gjatë kësaj kohe u ndërruan shpesh qeveritë. Me ardhjen e qeverisjes VV-LDK, në krye të minsitrisë së Infrastrukturës erdhi Lumir Abdixhiku, tani kryetar i LDK-së.
Abdixhiku në ditët e para të punës kishte kërkuar anulimin e tenderit 110 milionësh për 24 kilometra Banull-Dheu i Bardhë, nën arsytimin se nuk ka mjete financiare dhe se projketi i autostradës ishte kontrabanduar në buxhetin e shtetit nga qeveria e kaluar.
“Është e padëgjuar që një qeveri në ikje, pa buxhet të aprovuar, të fusë në obligime financiare qeverinë e ardhshme, që do të mund t’i kushtonin vendit me penalizime financiare që kanë ndodhur më parë”, kishte deklaruar ai.
Për punën e nënshkrimit të kësaj kontrate ka edhe të akuzuar për keqpërdorime.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Reçicës dhe tre zyrtarëve të tjerë lidhur me Autostradën e Gjilanit.
Nacionale ka pyetur qytetarët nga Gjilani të cilët thujase çdo ditë udhëtojnë për në Prishtinë. Ata na thanë se autostrada do t’ua lehtësonte shumë rrugën për në Prishtinë.
Shkëlqim Xhaqkaj për Nacionalen ka thënë se kjo rrugë do t’i kursente më shumë kohë pasi në rrugën aktuale ka kolona të gjata.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë kishe me qenë një dhuratë e mirë për qytetarët e Gjilanit dhe Kamenicës. Unë vij nga Kamenica. Prej Kamenicës në Prishtinë janë diku rreth 85 kilometra, e nëse e përkthejmë në udhëtim me veturë, gjithmonë më bie të vozis rreth 1 orë e gjysmë apo më shumë, për shkak se rrugët janë jo të mira edhe bëhet kolonë, sidomos nëse para nesh qëndron një kamion që njihen si shlepera, e maksimumi që vozisin ata është 60 km në orë. Nëse do të bëhej kjo autostradë, unë maksimumi në Prishtina kisha qenë brenda një ore ose më pak prej Kamenicës, edhe e njëjta prej Prishtinës në Kamenicë”, ka thënë ai.
Xhaqkaj tutje ka treguar se i ka mbetur hatri me deputetët dhe kryetarët e rajonit të Anamoravës.
“Hatërmbetje kam te deputetët dhe kryetarët e anamoravës që nuk kanë insistuar që kjo autostradë të kryhet më shpejt, pasi për neve që punojmë ose studiojmë në Prishtinë është shumë e nevojshme. I bëj thirrje ministrit të infrasktrukturës që t’i kushtojë vëmendje më shumë kësaj autostrade e të kryhen punët brenda vitit 2022”, ka nënvizuar ai.
Ndërsa qytetari tjetër, Arbër Ramadani, ka thënë se autostrada e Gjilanit do të jetë ‘shpëtim’ për gjilansasit dhe atë rajon të Kosovës, pasi rruga aktuale sipas tij, është e mundimshme dhe e rrezikshme.
“Rruga Gjilan-Prishtinë, të cilën e frekuentoj çdo ditë (kjo aktualja) është rruga më e mundimshme e mundshme. Nuk ka relacion tjetër mes qytetesh të Kosovës, me rrugë më të mundimshme në çfarëdo konteksti. Edhe e rrezikshme është”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se nëse bëhet kjo autostradë atëhërë do të shmangeshin aksidentet.
“Autostrada, do të ishte më shumë se zgjidhje. Shpëtim! Ka kaq shumë studentë e punëtorë, që e ndjekin këtë relacion çdo ditë. Përveç ekonomizimit të kohës, që në këtë shekull është tepër e rëndesishme. Një autostradë e tillë, jam i sigurt se do të shmangte shumë aksidente, pasi që rruga aktuale është teper e rrezikshme”, është shprehur ai.
Në programin e Qeverisë Kurti parashihet që autostrada e Gjilanit do të ndërtohet.
“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë. Po ashtu, vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës”, thuhet në programin e Qeverisë Kurti 2021-2025.