AUV-i në Ferizaj asgjëson tri lopë me brucelozë, thirrje fermerëve t’i lajmërojnë rastet

AUV-i në Ferizaj asgjëson tri lopë me brucelozë, thirrje fermerëve t’i lajmërojnë rastet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka nisur një aktivitet për asgjësimin e kafshëve me sëmundje të brucelozës në rajonin e Ferizajt.



Ky institucion është njoftuar nga një pronar i një ferme për dyshimet se disa krerë lopë janë të sëmura dhe pas analizave laboratorike ka nisur asgjësimi i tyre.

Drejtori i AUV-it për rajonin e Ferizajt, Selami Salihu, ka thënë se sëmundja e brucelozës bartet lehtë edhe tek njerëzit, andaj fermerët duhet të kenë kujdes dhe t’i lajmërojnë rastet e tilla.

“Tani këtu kemi dalë për ta bërë asgjësimin e tre krerëve të lopëve për shkak se kanë rezultuar pozitive në sëmundjen e brucelozës, sëmundje kjo infektive me karakter që transmetohet nga kafshët tek njeriu. Kjo sëmundje ka ardhur pas njoftimit të veterinarit se në njërën nga fermat e Komunës së Ferizajt ka pasur dyshime për sëmundjen e caktuar. Në momentin e njoftimit kemi dalë në fermë, kemi bërë kontrollimet dhe kemi marrë mostrat e gjakut dhe i kemi dërguar në laborator”, tha Selami Salihu, drejtor i AUV-it në Ferizaj.

Salihu tregon se deri tash shkaku i kësaj sëmundjeje në këtë rajon janë asgjësuar edhe 42 krerë delesh.

“Deri më tani nuk kemi raste të tjera, sepse zakonisht rasti i informimit tek AUV-i vjen përmes zinxhirit fermer-veterinar-agjenci, derisa veterinarët tek fermat e kafshëve në ferma fermerët i njoftojnë për dyshimet mbi sëmundjet për shkak të aborteve kryesisht, sepse janë abortet ato që i bëjnë të dyshojnë veterinarët”, pohoi ai.

“Pas groposjes këtu në vend të ngjarjes ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme duke shkuar në fermë për të bërë largimin e të gjithë mbetjeve ku kanë qëndruar kafshët e prekura me brucelozë, do të bëjmë dezinfektimin e hapësirës dhe do ta urdhërojmë fermerin që mos të fusë kafshë të tjera deri në një kohë të caktuar”, shtoi Elham Luzha, inspektor i veterinës në AUV.

Fermeri të cilit iu asgjësuan krerët e lopëve nuk ka dashur të flasë para kamerës, por ka kërkuar nga institucionet përkatëse t’i bëhet kompensimi i tyre.

Related Articles