AUV siguron qytetarët: Peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum

AUV siguron qytetarët: Peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar pas raportimeve në media për praninë e krimbave të llojit Anisakis në peshkun e shitur në tregjet e Kosovës, duke siguruar qytetarët se produktet janë të sigurta për konsum.

Këto raportime ngritën shqetësime për sigurinë ushqimore, pasi sipas analizave laboratorike të kryera nga data 24 nëntor 2023 deri më 6 shkurt 2024, në disa mostra peshku ishin vërejtur parazitë të gjatë deri në 3 centimetra, të dukshëm me sy të lirë.

Por për praninë e parazitëve në disa lloje peshku në tregun kosovar, Autoriteti i Ushqimit të Kosovës (AUV) ka sqaruar rregullat që zbatohen për këto produkte dhe sigurinë e tyre për konsum.

Në reagimin e bërë publik, AUV thekson se ekzistojnë kërkesa të qarta ligjore që garantojnë mbrojtjen e konsumatorëve ndaj rrezikut nga parazitët.

Megjithatë, AUV thekson se peshku që importohet në Kosovë i nënshtrohet kontrolleve rigoroze dhe ruhet në kushte të rrepta të temperaturës për të garantuar sigurinë e tij.

“Pika D e Kapitullit III të Seksionit VIII të Shtojcës III të Rregullores (KE) Nr 853/2004 përmban një kërkesë që disa produkte peshku t’i nënshtrohen një trajtimi të mjaftueshëm për të vrarë parazitët e mundshëm që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit”, thuhet në reagim.

Kjo rregullore, sipas AUV-it, aplikohet për produktet e peshkut që konsumohen të papërpunuara ose që nuk i nënshtrohen një trajtimi termik para konsumimit.

“Zbatohet për produktet e peshkut që synohen të konsumohen të papërpunuara dhe produktet e peshkut që nuk i janë nënshtruar, ose nuk synohen para konsumimit t’i nënshtrohen, një trajtimi që vret parazitë të tillë. Fazat larvore të parazitëve të tillë që paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit janë (1) nematoda, kryesisht larvat e specieve Anisakis dhe Pseudoterranova decipiens, (2) larvat (plerocerkoide) të Diphyllobothrium cestodes dhe (3) larvat (metacercariae) të trematodave”, thuhet më tej në njoftim.

AUV thekson se ngarkesat me peshk që vijnë në Kosovë nga vendet si SHBA, Kanada, Spanjë, Kroaci dhe Maqedonia e Veriut, janë të ngrira në temperatura shumë të ulëta dhe të pajisura me certifikata shëndetësore nga autoritetet përkatëse të këtyre vendeve.

“Lloji i peshkut Merluc (hake) i cili gjendet në tregun e Kosovës për të cilin bëhet fjalë, përveç se është i ngrirë, i përket llojit i cili është i dedikuar për t’u përgatitur me trajtim të nxehtësisë (D.M.TH të gatuhet) e jo si i freskët apo i shkrirë në specialitete si ‘krudo’ apo ‘sushi’ me ç’rast nuk mundet të vihet para konsumatorit nëse përmban parazit”, thotë AUV.

Related Articles