Jeton Vllasaliu, i dyshuari kryesor për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, ka pranuar vrasjen e tij.
Në lidhje me këtë, avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, ka thënë se ata nuk i besojnë pranimit të fajësisë nga ana e Vllasaliut, pasi sipas tij, pranimi më shumë ka qenë shfajësues.
Berisha tha se në bazë të bindjes së tyre dhe provave të grumbulluara, Vllasaliu s’ka vepruar i vetëm dhe është ndihmuar para dhe gjatë kryerjes së veprës penale sikurse, siç tha ai, edhe është ndihmuar për një kohë që t’i shmanget moszbulimit të krimit të kryer.
“Bedri Rexhepi dyshohet se është rrëmbyer në mënyrë tinëzare, pra me një tradhti dhe gatim të një rrëfimi për ta joshur dhe çuar në një vend ku ka mundur të ekzekutohet. Atje është ekzekutuar pabesisht dhe janë bërë veprime të shumta për t’iu shmangur zbulimit të këtij rasti makabër”.
“Mos të harrojmë se po i afrohemi më shumë se një vjet e gjysmë që kanë kaluar që është pothuajse maksimumi i hetimit të lejuar kur dikush mbahet në masën e paraburgimit dhe i dyshuari kryesor është munduar që të shmangë çdo shenjë që e shpie drejt zbulimit të krimit”, është shprehur Berisha në Klan Kosova.
Avokati Berisha tha se ajo çfarë është manifestuar në krimin e bërë flet për një gjakftohtësi në përgatitje, ekzekutim, por edhe në mbulimin e gjurmëve për një kohë të gjatë.