Eiden Elis, njëri prej avokatëve të Jakup Krasniqit, në seancën e sotme të Gjykatës Speciale ka kërkuar që t’u jepen materialet që ishin sekuestruar gjatë nëntorit të kaluar, megjithatë, prokurorja nuk ka pranuar që të bëhet një gjë e tillë.
Elis ka thënë se kërkesa për dhënien e këtyre materialeve është bërë para gjashtë muajve, por të njëjtat nuk u janë dhënë.
“Neve nuk na janë dhënë materialet që janë sekuestruar në nëntor të vitit të kaluar…. ajo që është më e rëndësishme për ne është se ky material duhet të jipet menjëherë, megjithatë, është bërë kjo kërkesë që në nëntor dhe kanë kaluar gjashtë muaj, prandaj duam që të na jepen dhe të na bëhen të ditura menjëherë këto dokumente, sidomos ato shfajsuese”, ka thënë ai.
Prokurorja ka thënë se mbrojtja nuk ka të drejtë t’i kërkojë këto dokumente.
“Mbrojtja nuk ka të drejtë të marrë këto dokumente dhe t’i kërkojë. Të gjitha këto, zbulimi i tyre do të shkelte kushtet. Prokuroria ka detyrimin që të sigurojë që materialet që duhet nxjerrur në bazë të këtyre rregullave, ose duhet të nxirren ose të vendosen përjashtime përkatëse. Lidhur me rregullën 107, prokuroria po angazhohet në mënyrë aktive. Ne i dijmë afatet, dhe kërkojmë që edhe institucionet të jenë në dijeni të këtyre afateve”, ka thënë ajo.
Ndryshe, sot po mbahet senaca e pestë në Hagë për ecurinë e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve, e cila po vazhdon edhe më tej.