Avokati i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper, ka thënë se për pesë vjet kanë qenë duke u fshehur pas një reje keqinterpretimesh dhe të ndryshimit të historisë.
Por tani, që ka përfunduar procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, ai tha se bota ka pasur mundësi të shohë cili është realiteti.
Ai është i mendimit se është arritur të nxirret në pah e vërteta gjatë këtij procesi, dhe për pasojë, Thaçi dhe të tjerët do të jenë të lirë.
“Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai mes tjerash në Klan Kosova.
avokati i tij, Prosper, është shprehur se gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka pasur komandë dhe kontroll mbi pjesëtarët individual të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai shtoi se Prokuroria e Specializuar e ka trajtuar çështjen asisoj që për secilin abuzim që ka ndodhur, Thaçi dhe të tjerët janë përgjegjës, “kjo për shkak të natyrës së titujve apo pozicioneve që kanë pasur”.
“Kjo nuk është e vërteta”.
“Janë gjithë këta dëshmitarë që erdhën dhe dëshmuan se nuk ka pasur sistem të organizuar të komandës dhe kontrollit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe kur e shohim këtë, mund të vijmë në përfundim se ata nuk mund të mbahen përgjegjës për veprimet e individëve përgjatë asaj kohe”, deklaroi avokati Prosper.
