Familja e Faton Hajrizit, e kanë autorizuar avokatin Arianit Kocit, për tërheqjen e trupit nga Serbia.
Lajmin e ka bërë të ditur vet avokati në një deklaratë për media, duke shtuar se ende nuk dihet se ku ndodhet trupi i Faton Hajrizit.
Ai tha se ka nisur menjëherë kontaktet me autoritetet e Beogradit, por edhe me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
“Sot jam takuar më nënën e Fatonit të ndjerë, më ka dhënë autorizimin, ishte së bashku me vëllain e vogël në zyre tek unë. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd, të njëjtën kohë jam në koordinim edhe me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Jetish Jashari”.
“Deri tash disa punë i kemi kryer. Po ashtu sot kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na kanë dhënë si opsion Beogradin, Shid ose Novi Sad. Porsa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura”, tha ai.