Avokati Rexha: Arrestimi i Molliqajt ishte i kundërligjshëm

Avokati Rexha: Arrestimi i Molliqajt ishte i kundërligjshëm

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Me këtë rast, avokati mbrojtës i Molliqajt, Arbër Rexha, ka deklaruar se gkjatë ditës së sotme pritet që Gjykata Themelore në Prishtinë të marrë vendimin lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

“Mund të konfirmoj se seanca për caktimin e masës së paraburgimit është mbyll dhe presim nxjerrjen e vendimit. Përveç që konsiderojmë se kërkesa për caktim të paraburgimit është e jashtëligjshme, konsiderojmë se edhe arrestimi është bërë në rrjedhë të kundërligjshme. Janë cenuar skajshëm të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç është e drejta e lirisë”, tha Rexha.

Tutje Rexha ka deklaruar se për shkak të angazhimeve të Gjykatës vendimi për Dardan Molliqaj pritet të merret sot, por pak më vonë.

“Për mbrojtjen ka qenë pak e paqartë kërkesa e Prokurorisë pasi aty pretendohej që z.Molliqaj mund të ikë jashtë Kosovës. Është pretenduar se ai ka qenë në arrati, por gjendja faktike është se ai s’ka qenë kurrë në arrati, por thjesht nuk është bërë dorëzim i rregullt në bazë të procedurave ligjor”, shtoi ai./Gazeta Enigma/

Related Articles