Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, i cili po dëshmon sot para gjykatës, deklaroi se pasi fëmijët e motrës së tij ishin transferuar në Suedi, ai kishte kërkuar që t’i takonte dhe t’i pyeste për atë që kishte ndodhur.
“Kur kam shkuar në Suedi kam kërkuar që t’i takoj. Fjalët e djalit janë këto: ‘Hajni e ka futur dorën dhe ja ka ba mamit bam’. Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes,” tha ai.
Ai shtoi se fëmijët nuk kishin pranuar më kontakte me babanë e tyre.
“Që nga momenti që fëmijët kanë shkuar në Suedi, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar as takim me babin. Të gjitha thirrjet që ja ka mundësuar gjendja për punë sociale me babin e tyre, asnjëherë fëmijët nuk i kanë pranuar. Ka arritur deri aty që fëmijët, në foto ku janë së bashku Naimi me Liridonën, e shkyen me gërshërë Naimin nga fotografia,” dëshmoi ai.
Ai ka përshkruar edhe kohën kur e morën vesh lajmin.
”Me kanë thënë janë brenda. Unë me bashkëshorten kena shku të fëmijët takimi me ta shumë prekës ata ishin të frikësuar, të merzitur për atë që kishin parë e dëgjuar, kur i kam pytë ku është Naimi? – më kane thënë duke dhënë deklaratë”.
”Pas një ore, një orë e gjysmë Naimi ka dalë nga policia, ne fëmijët i kemi marrë në veturë se ishte orar gjumi. Aty ishte edhe Kushtrim Kokalla, e kemi pyte Naimin, çfarë ndodhi?”
”Ai [Naim Murseli] na tha qe: Na ka dal nje hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla. Unë i kam nxjerr të hollat, i kam thanë edhe Liridonës jepja krejt çka ki, ajo duke shiku në çantë, unë i kom hap dyert m’i thanë fëmijëve me ik, në gjuhën suedeze. Mas 4-5 metra e kom ndi një krismë dhe unë vazhdoja të ikja me fëmijë”.
”Ka ardhë një veturë ka dashtë me na shkel mu e fëmijët, kom kërku ndihmë të disa shtëpi nuk na kanë jap ndihmë. Kom shku deri te marketi i kom thanë a po i kqyr fëmijët se ma kanë vra grunë. Ai m’ka thane jo rri këtu se është rrezik, priti policinë”.
”Leonardi: I kemi marrë fëmijet edhe kena ec, Naimi ka qëndru aty me Kushtrimin [pas deklaratës së policisë]. Për ne ajo natë nuk ishte e lehtë se i kishim edhe fëmijët, në shpi kemi qëndruar zgjuar deri në mëngjes”.
/ Gazeta Enigma.