Bajrami-Kurtit: Tash dasmat mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët aty i keni

Bajrami-Kurtit: Tash dasmat mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët aty i keni

Sot është mbajtur seanca e Kuvendit në të cilën është diskutuar performanca e Qeverisë Kurti. Në të deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami është treguar kritike ndaj egzekutivit.

Ajo ka thënë se në dy vjet qeverisje nuk është bërë asgjë në Kosovë.

“Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti”, ka thënë ajo.

Bajrami është shprehur se Qeveria Kurti, ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha por nuk i ka realizuar. 

“Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë. Për transparencë të mos flasim, dy vite qeverisje asnjë listë e publikuar. Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Krejt çka keni bërë në drejtësi i shohim me rastin e Martin Berishajt”, ka shtuar ajo.

Madje, deputetja ka thënë se punësimet në institucione janë bërë në bazë të lidhjeve familjare.

“Kryeministri thoshte se familjarët janë për dasma, sot dasmat lirisht mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët i keni aty. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”, ka përfunduar ajo.

Related Articles