Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar të enjten nga bordi i RTK-së që ta shkarkojë Rilind Gërvallën nga pozita e drejtorit.
Ajo po ashtu ka kërkuar që drejtësia duhet ta hetojë nëse udhëheqja e RTK-së ka keqpërdorur detyrën duke i bërë favore Vetëvendosjes e duke dëmtuar interesin publik përmes lajmeve të rreme.
“Bordi i RTK-së duhet ta shkarkojë menjëherë Drejtorin e RTK-së, i cili është vegël e Vetëvendosjes në televizionin publik. Bordi duhet të japë dorëheqje pasi në mënyrë të turpshme kishin votuar një anëtar të Vetëvendosjes për udhëheqës të televizionit publik. Nëse nuk japin dorëheqje duhet të nisin procedurat për shkarkimin e tyre në Kuvend. Drejtësia duhet të hetojë nëse udhëheqja e RTK-së ka keqpërdorur detyrën duke i bërë favore Vetëvendosjes e duke dëmtuar interesin publik përmes lajmeve të rreme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tutje ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të themelojë një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar gjithçka që ka ndodhur në RTK.