Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Qeverisë për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.
Përmes një reagimi në rrjetin social, Facebook, Bajrami ka theksuar se kjo është një hipokrizi e madhe, duke i kujtuar qytetarëve se ndërkohë që familjet kosovare kanë paguar fatura 300% më të larta për energji elektrike nga viti 2019 deri në vitin 2025.
Deputetja theksoi se, ndërkohë që në tetor të vitit 2019 një familje mesatare paguante 54 Euro për energjinë elektrike, tani kjo shumë ka shkuar në 169 Euro.
Po ashtu, ajo shprehu shqetësimin se çmimi i energjisë për bizneset vendore ka pësuar një rritje drastike, duke kaluar nga 75 Euro për MËh në 206 Euro, pas liberalizimit të tregut.
“Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike. Çfarë hipokrizie! Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.
Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro. Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro. A po e shihni mashtrimin? Ani “po ju subvencionojmë faturat”.
“Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktushme)”, shkruhet në reagimin e Bajramit.
