Ballkani, Drita e Dukagini do të mundohen të ecin tutje në Ligën e Konferencës

Ballkani, Drita e Dukagini do të mundohen të ecin tutje në Ligën e Konferencës

Skuadrat kosovare do të zbresin në fushën e blertë sonte për t’i zhvilluar ndeshjet përkatëse në Ligën e Konferencës.

Dritën e pret një sfidë e vështirë kundër gjigantit çek, Viktoria Plzen.

Nënkampioni kosovar e bëri një paraqitje të madhe në lojën e parë të rrethit të dytë kualifikues të kësaj gare duke e nxjerr një barazim në Republikën Çeke.

E tash, gjilanasit, të cilët e nisën eksperiencën evropiane sivjet nga xhiroja e dytë kualifikuese, do ta kërkojnë fitoren e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër një kundërshtari që në sezonin e kaluar luante kundër Barcelonës, Bayern Munichut dhe Interit.

Kjo ndeshje do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.

E një punë edhe më e vështirë e pret Dukagjinin.

Debutuesi në garat evropiane e humbi lojën e parë në shtëpi nga Rijeka me rezultat 0:1.

E tash, klinasit do ta kërkojnë mrekullinë në Kroaci, ndonëse do ta kenë shumë të vështirë ta përmbysin rezultatin, me vendësit favoritë absolutë për të ecur tutje falë kapitalit të krijuar në lojën e parë në kryeqytetin kosovar.

Ndeshja ndërmjet Rijekës dhe Dukagjinit do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:15.

Punën më të lehtë sonte e ka Ballkani.

Kampioni kosovar e siguroi një kapital të lartë në ndeshjen e parë duke e mundur ekipin Larne me rezultat 3:0.

Tash, kampioni kosovar ka udhëtuar drejt Irlandës së Veriut për ta menaxhuar këtë rezultat dhe për të ecur tutje.

Ndeshja mes Larne dhe Ballkani do të luhet në Belfast duke filluar nga ora 20:30.

Related Articles