Ballkani mposhtet nga Slavia e Pragës

Ballkani mposhtet nga Slavia e Pragës

Ndonëse ka shënuar dy gola, Ballkani largohet pa pikë nga Praga e Çekisë. Të enjten mbrëma kampioni i Kosovës, Ballkani, humbi 3:2 nga Slavia, që ishte favorite e madhe.

Madje Ballkani dy herë kaloi në epërsi ndaj skuadrës së madhe çeke. Për 1:0 shënoi Ermal Krasniqi në minutën e 23-të. Ai shënoi gol nga afërsia, pas një aksioni të bukur të suharekasve. Për Krasniqin asistoi Armend Thaqi. Por menjëherë në minutën e 26-të, Slavia barazoi rezultatin.

Pas goditjes së David Jurasek nga krahu i majtë, Stivi Frashëri devijoi topin për ta dërguar në portën e tij.

Ballkani nuk u ndal, ndërsa golin për 2:1 e shënoi Meriton Korenica në minutën e 29-të. Ishte Albion Rrahmani që pasoi për Korenicën që gjuajti saktë. Por sërish Slavia barazoi shpejtë. Peter Olayinka realizoi gol të bukur për 2:2 në minutën e 34-t.

Ndërkohë një tjetër reagim i zbehtë në mbrojtjen e Ballkanit solli golin e tretë të Slavias, që ishte edhe i fundit në ndeshje. Lukash Maspoust shënoi nga afërsia në minutën e 41-të. Topin e goditur prej tij e devijoi Lumbardh Dellova.

Në pjesën e dytë nuk janë shënuar gola, ndërsa më shumë nga loja sërish ka pasur Slavia, skuadra me përvojë të gjatë në garat evropiane. Por Ballkani nuk ishte inferior në ndeshjen e dytë të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Në minutën e 84-t, Astrit Thaçi u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër.

Ballkani në ndeshjen e parë kishte barazuar 1:1 ndaj Clujit në Prishtinë. Ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Sivassporit, po në udhëtim, më 6 tetor.

Në grupin G udhëheq Slavia me katër pikë, sa i ka edhe Sivasspori. Ndërkohë Ballkani dhe Cluji i kanë nga një pikë.

Pra grupi mbetet i hapur dhe Ballkani me paraqitje si të enjten në Pragë, mund të shpresojë ende.

Related Articles