Balotazhi në Viti/ Cilen parti do t`a përkrah PDK-ja

Balotazhi në Viti/ Cilen parti do t`a përkrah PDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Vitisë do të ballafaqohen sërish me njëra tjetren. E fitorja e njërit nga këto dy subjekte politike siç duket do të varet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo, pasi që partia e tretë në këtë komunë, PDK-ja ka fituar një përqindje të lartë të votave.

Partia Demokratike e Kosovës në Viti, ka marrë gjithsej 23.37% të votave të qytetarëve, derisa LDK-ja 41.78%, kurse LVV-ja 34.85%.

Që të dyja këto subjekte politike kanë shpreh interesim për bashkëpunim me partinë e tretë, por se ende nuk kanë ofruar ndonjë ofertë konkrete.

Në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Bekim Azizi, ka thënë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim për përkrahje të asnjërit, pavarësisht interesimit të LDK-së dhe VV-së.

“Nuk kemi asnjë marrëveshje deri tash dhe roli përcaktues është i joni në këto zgjedhje për shkak të fuqisë sonë që e kemi tash të votës dhe ka iniciativa mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Të dyja partitë kanë interesim me u taku, por ende nuk jam taku me asnjërën për me i bisedua këto çështje”, ka deklaruar, Azizi.

Ai tha se do të vendosin varësisht ofertës që do të kenë nga dy partitë tjera, sa i përket çështjes së programit.

“Unë e kam synim me u taku me të dyja palët me dëgju se cila është oferta e të dyja palëve edhe do ta shoh pastaj se çfarë vendimi do të marrim si degë”, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.

Në 17 komuna, kandidatët kanë fituar vota të mjaftueshme për të marrë mandatin e kryetarit, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve.

Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot./Gazeta “Enigma”/

Related Articles