Baraliu: Rritja e numrit të ministrive ka kosto dhe mund të sjellë mosefikasitet dhe përzierje kompetencash

Baraliu: Rritja e numrit të ministrive ka kosto dhe mund të sjellë mosefikasitet dhe përzierje kompetencash

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po përballet me kritika në rritje lidhur me zgjerimin e kabinetit qeveritar dhe mënyrën e përzgjedhjes së ministrave. Sipas ekspertëve politikë, rritja e numrit të ministrive dhe emërimet e kontestuara nuk garantojnë efikasitet institucional dhe bien ndesh me premtimet e dhëna para zgjedhjeve nga përfaqësuesit e LVV-së, shkruan Gazeta “Enigma”.

Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se në mandatin e kaluar qeverisës Kurti kishte premtuar reduktimin e ministrive dhe racionalizimin e qeverisjes, por aktualisht numri i tyre është rritur në 19. Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe mund të prodhojë efekte negative në efikasitetin e qeverisjes.

“Është evidente që në mandatin e kaluar qeverisës, para se të fillonte me premtimet parazgjedhore, kryeministri aktual kishte deklaruar se duhej të reduktoheshin ministritë, të ekonomizohej qeverisja dhe të kishte më pak dikastere. Kjo ka ndodhur pjesërisht, por jo në mënyrë natyrale, më shumë artificiale dhe jo profilizuese. Janë bashkuar disa ministri me njëra-tjetrën, si ajo e Integrimeve me Punët e Jashtme, pastaj Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave, gjëra këto pothuajse të panatyrshme”, deklaroi Baraliu.

LEXO EDHE: Premtime të harruara, ministri të shtuara – Kritikohet kabineti i ri i Kurtit

“Ndërsa tani kemi shtim të ministrive, jo më pak se 19. Kjo është një e kundërt në veprim, mirëpo ndoshta përvoja pesëvjeçare me qeverisjen ka pasur ndikimin e vet që kjo qeverisje e tanishme të orientohet ndryshe”, theksoi ai.

“Ndoshta një faktor tjetër ka qenë edhe kënaqshmëria dhe përfshirja e sa më shumë aktorëve në qeverisje, përfshirë komunitetet pakicë dhe anëtarë të tjerë të koalicionit të LVV-së, për t’u bërë vend kërkesave dhe ambicieve politike të tyre. Edhe kjo mund të ketë ndikuar. Mbase një faktor i tretë është se Kurti ka vlerësuar se disa bashkime apo fuzionime ministrish në mandatin e kaluar nuk kanë prodhuar rezultate dhe i është kthyer kësaj qasjeje”, theksoi Baraliu.

Ai shtoi se Kosova është vend i vogël dhe qeverisja do të duhej të ishte efikase dhe racionale, me sa më pak shpenzime, sa më pak ministri dhe zëvendësministra, pasi kjo ka kosto dhe mund të sjellë mosefikasitet, ndërthurje dhe përzierje kompetencash.

“Emërimet problematike”

“Është dashur të ketë ministra të rinj, njerëz të cilët njihen në profesionin, punën dhe karrierën e tyre”, potencon Baraliu.

Ai theksoi se do të duhej të kishte më pak ministra nga qeverisja e kaluar dhe më shumë ministra të rinj, të dëshmuar me vlera, rezultate, dije dhe përvojë. Sipas tij, nuk është e drejtë që ministritë të drejtohen nga persona anonimë, militantë partiakë apo emërime që bëhen vetëm për të përmbushur kërkesat e koalicionit.

Sipas Baraliut, një nga gabimet e qeverisjes së kaluar të Kurtit ishte fakti se shumë prej ministrave të emëruar nuk ishin të dëshmuar në fushat përkatëse dhe nuk dhanë rezultate të mjaftueshme, por megjithatë u riemëruan.

“Ndërrimi i ministrit të Kulturës në një dikaster krejt tjetër, siç është Arsimi, edhe pse i rëndësishëm, mund të sjellë më shumë ndërprerje të aktiviteteve sesa përmirësim”, deklaroi ai.

Ministrat nën hetime dhe me aktakuza

“Ajo që shohim, si ekspertë dhe si qytetarë, është se disa ministra nuk kanë dhënë rezultate, por megjithatë janë betonizuar në pozita dhe janë riemëruar me një kontinuitet katërvjeçar”, tha Baraliu.

Ai theksoi se, pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, ekziston edhe një parim politik, moral dhe etik që kërkon që në qeveri të mos ketë persona nën akuza, pavarësisht se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.

Baraliu kritikoi Kurtin se, për të njëjtën arsye, sa ishte në opozitë i kishte kundërshtuar partitë e tjera, ndërsa tani vepron ndryshe. / Gazeta Enigma.

Related Articles