Bardhyl Mahmuti do të dëshmojë në rastin e Pjetër Shalës

Bardhyl Mahmuti do të dëshmojë në rastin e Pjetër Shalës

Ish-përfaqësuesi i lartë politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, ka njoftuar se do të jetë dëshmitar i mbrojtjes në rastin e Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se kjo ka ardhur pas kërkesës së avokatëve të Shalës.

Ka shtuar se dëshmia e tij do të fillojë më 20 shtator.

“Me kërkesë të avokatëve të z. Pjetër Shala, kam pranuar të jem dëshmitar i mbrojtjes në këtë proces gjyqësor. Sot do të udhëtoj për në Hagë, për procedurat paraprake, ndërsa dëshmia ime do të fillojë të mërkurën, më 20 shtator 2023. Ju njoftoj se gjatë qëndrimit tim në Hagë (deri më 23 shtator), do të shmang komunikimin me telefon ose nëpërmjet rrjeteve sociale”, ka njoftuar ai.

Në aktakuzën e konfirmuar nga Gjykata Speciale, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Versioni i redaktuar publik i aktakuzës së konfirmuar mund të lexohet këtu.

Related Articles