Krerët e Federatës së Çiklizmit akuzohen për korrupsion, kurdisje e mashtrim

Krerët e Federatës së Çiklizmit akuzohen për korrupsion, kurdisje e mashtrim

Grupi “Marakli t’Biciklave” ka mbështetje të madhe në rrjetet sociale. Ka 27 mijë ndjekës në Facebook e mbi 10 mijë në Instagram.

Por “Meraklinjtë e Bicikletave” nuk kanë gjetur mbështetje edhe te Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK), që drejtohet nga Avni Nuha.

Themeluesi i organizatës “Marakli t’Biciklave”, Berat Rakovica, thotë se FÇK-ja, përkatësisht kryetari Nuha, tenton t’i pengojë në çdo organizim.

“Kemi probleme që katër vjet. Sa herë kemi aktivitete, ai (Avni Nuha v.j.) tenton përmes policisë të na pengojë. Edhe pse është kërkesë e kundërligjshme, ai vazhdimisht e bën. Hera e fundit kur kemi hasur në pengesë është organizimi i ‘Cross Country Prishtina’. Drejtori i Policisë më ka kontaktuar dhe më ka treguar që i kanë dërguar email për të mos e përkrahur aktivitetin”, ka thënë Rakovica të dielën për Kohën.

Rakovica thotë se kanë mbi 300 persona që merren me çiklizëm.

Por komuniteti i mbledhur në grupin ‘Marakli t’Biciklave”, siç thotë Rakovica, nuk është pranuar nga FÇK-ja. Ai thekson se ka dërguar dy-tri emaile, por që nuk ka marrë përgjigje nga krerët e FÇK-së.

“Ne jemi OJQ, jemi organizata më e madhe në Ballkan për çiklizëm. Tash sa po flasim jemi në aktivitet dhe kemi mbi 55 pjesëmarrës, ndërsa Federata organizon një garë dhe nuk i ka as 40 pjesëmarrës. Ky ka qenë problemi që nuk kanë dashur të na pranojnë, pasi rritet konkurrenca dhe djali i kryetarit nuk mund të marrë fitore rend, pasi ia merr dikush tjetër. Për të mënjanuar konkurrencën vepron në këtë formë. Ata po duan të jetë gjithçka nën ombrellën e tyre, por pa të regjistruar. Ne kemi aplikuar të jemi nën ombrellën e Federatës, por nuk na kanë pranuar. Ne kemi punët tona tashmë”, ka theksuar Rakovica.

Ai shkon edh më tej me akuza.

“Tash nuk jemi më të interesuar të jemi pjesë e Federatës, derisa në udhëheqje janë të njëjtit prej pasluftës. Është i njëjti sekretar e nënkryetar. Vëllai i vet selektor, djali i madh trajner, tjetrin e ka në klub. Vetë kryetar klubi, kryetar i Federatës dhe vetë drejtor i kompanisë ‘Tranzit’. I vetmi sponsor që mund të hyjë është ‘Tranziti’. Ai vetëm të vetit i dëshiron afër”, ka shtuar Rakovica.

KÇ Kastrioti, “klubi i Federatës”

Akuza më të ashpra në adresë të kryetarit të FÇK-së, Avni Nuha, dhe drejtuesve të tjerë të Federatës ka lëshuar kryetari i klubit Vjosa nga Shtimja, Ramiz Smajli.

Smajli në fakt ka dërguar një email në adresë të Kohes ku ka paraqitur një mori akuzash e kritikash për punën e Nuhës dhe të tjerëve.

Në fillim të letrës së gjatë shkruan se Federata e Çiklizmit e Kosovës është e ngulfatur nga keqmenaxhimi, korrupsioni, kurdisja e rezultateve, mashtrimi me licenca, dallavere në përzgjedhjen e garuesve për përfaqësuese, anashkalimi me raportet financiare dhe raportet e punës, lënia e vendeve vakant në Bord e shumë shkelje të tjera.

“Presidenti i Federatës është Avni Nuha nga KÇ Kastrioti. Aktualisht e ka mandatin e tretë dhe si duket ka krijuar rreth të mirë. Këtë e argumentojnë faktet se për arkëtar ka caktuar vëllain, Gani Nuha, po ashtu nga KÇ Kastrioti. I njëjti mban edhe detyrën e sekretarit teknik të FÇK-së. Ndërsa më e rënda është te rasti i cili është i pa logjikshëm dhe përbën shkelje të rëndë të Statutit dhe Rregullores së Këshillit Mbikëqyrës. Mexhid Zaskokun nga KÇ Kastrioti e ka angazhuar si ‘supermen’: anëtar i Bordit të FÇK-së, kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të FÇK-së, gjyqtar të FÇK-së”, shkruan në letrën e kryetarit të klubit Vjosa.

Smajli ka thënë se anëtarja e Bordit, Shqipe Miftari, është caktuar edhe në Këshillin Mbikëqyrës. Sipas tij nuk lejohet që anëtari apo kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të ketë pozita vendimmarrëse në Federatë, si dhe nuk mund të jetë as delegat, as trajner e as anëtar bordi.

Ramiz Smajli ka thënë se selektori Flurim Shala i ka duart e lidhura dhe se bashkë me të në gara shkon sekretari dhe arkëtari, Gani Nuha. Sipas tij, selektori nuk jep raport të punës dhe financiar, ndonëse e ka obligim.

Ai insiston se janë anashkaluar nga garat. Përmend “Tour of Kosovo 2023”.

“Selektori zgjidhet çdo vit, te ne që tetë vjet i njëjti. Shkelje e statutit të FÇK-së neni 7, pika 2 dhe 4). Selektori është nga KÇ Prizreni dhe për momentin ka vetëm një garues si klub. Ky është personi i katërt i zhytur në këto shkelje dhe mashtrime”, ka thënë Smajli.

Ai insiston se nuk ka transparencë duke theksuar se që tre vjet nuk është mbajtur asnjë Kuvend i Punës.

“Në Kampionatin Ballkanik 2023 udhëton vetëm KÇ Kastrioti me katër garues, me financim dhe në emër të Përfaqësueses. Sa i përket Bordit, një vend vakant e ka nga marsi i vitit 2021 dhe një nga korriku i vitit 2022. Shkelja e rregullores së Bordit ka ndodhur me rastin e kërkesës së tre delegatëve të KÇ Vjosa më 24 prill 2023 ku në rregullore thuhet se kërkesa shqyrtohet në afat prej dy javësh dhe përgjigjja e vendimit të bordit dorëzohet brenda një muaji. Ka shkelje edhe te neni 28: pagesa e mëditjeve për anëtarët e bordit që udhëtojnë. Ka edhe diskriminim gjinor. Garueset e klubit tonë janë detyruar të garojnë, pra kadetë me U23 dhe 14-vjeçaret me 32-vjeçaret”, ka thënë Smajli.

Nuha paralajmëron padi

Pakënaqësi me punën e Federatës është thënë të ketë edhe Prishtina. Prishtina aktualisht ka mbetur pa garues. Në fakt numri i çiklistëve në klube është fare i vogël. Por akuzat janë të “mëdha”.

Kryetari i Federatës, Avni Nuha, thotë se është i hapur të përballet me këdo në gjykata dhe organe tjera të drejtësisë.

“Sot i është dhënë e drejta njerëzve të flasin çka të duan dhe nuk mund t’i ndaloj. Por nëse ka fakte, është prokuroria dhe le të vazhdojë tutje, nuk ka problem. Ne jemi mësuar si Federatë. Jam një kohë të gjatë këtu, i di ofendimet, por nuk shoh tjetër rrugë. Posa të kthehem do ta padis dhe pastaj le t’i qetë faktet pa problem. Ai klub është që i kam ndihmuar, e kam avancuar për shkak se është klub i ri. Le të vazhdojnë. Buka jote nganjëherë të vret. Unë jam i gatshëm të përballem me prokurori, gjykatë, krime ekonomike, por le të mbetet në ndërgjegje të tyre”, ka thënë Nuha për Kohën.

Ai mohon të ketë marrë kërkesë nga organizata “Marakli t’Biciklave”.

“‘Marakli t’Biciklave’ nuk e di që ka bërë kërkesë dhe nuk ka bërë. Ata nuk mund të pranohen si ‘Marakli t’Biciklave’, por duhet t’ia vendosin një emër klubit.

Nuk na kanë pyetur asnjëherë a është mundësia për t’u pranuar. Me personat brenda Federatës jam perfekt, klubet perfekt. I vetmi ky klub që nuk ka bërë aktivitete në vitin 2023. Janë mësuar t’ua bëjë Federata aktivitetet dhe tash flasin. Unë me anëtarët e Bordit e kam si është më së miri. Janë shtatë anëtarë të Bordit”, ka thënë Nuha.

Federata e Çiklizmit e Kosovës nuk ka pasur ndonjë zhvillim apo rezultat të madh. Ka pasur herë pas here akuza nga komuniteti i çiklistëve. Edhe për nga masiviteti nuk ka pasur ndonjë hap të madh. Aktualisht numëron vetëm gjashtë klube.

Nën ombrellën e Federatës janë gjashtë klube të licencuara: Lepenci, Kastrioti, Gjakova, Dardana dhe Vjosa. E licencuar është edhe Prishtina. Prishtina është pa garues, ndërsa është formuar një tjetër klub prishtinas, Prishtina 038. KÇ Prishtina 038 është e pranuar me të drejta të kufizuara.

Related Articles