Skuadra e Llapit garat europiane do t’i nisë të enjten nga ora 20:30 ndaj skuadrës nga Mali i Zi, Buducnostit.
Kjo ndeshje do të luhet në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Ndeshja e parë do të luhet në Podgoricë në stadiumin “Pod Goricom”.
Fituesi i Kupës së Kosovës është duke u përgatitur që të jenë në formë optimale para ndeshjes se enjtes.
Trajneri i kësaj skuadre Tahir Batatina në një intervistë për Gazetën Enigma, ka treguar se kanë pushuar vetëm 7 ditë pas finales së Kupës së Kosovës dhe se janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Buducnostit.
“Ne jemi të gatshëm pasi nuk kemi qenë në kohë të gjatë në pauzë, kemi qenë 7 ditë pas përfundimit të finales së Kupës së Kosovës. Pastaj kemi filluar me fazën përgatitore ku me të vërtetë kemi bërë një punë të palodhshme, një punë të mundimshme, por ia kemi arritur objektivit që të jem të gatshëm për ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës”, thotë Tahir Batatina.
Batatina beson se lojtarët e tij janë të gatshëm për sfidën e 7 korrikut në aspektin fizik dhe psiqik për ndeshjen e së enjtes.
“Mendoj që jemi të gatshëm për sfidën e cila na pret më 7 korrik, ka me qenë një sfidë e vështirë në të cilën duhet ta bëjmë maksimumin, por besoj që lojtarët janë të gatshëm janë të përgatitur edhe fizikisht, taktikisht, teknikisht dhe psiqikisht, ne kemi punuar në çdo aspekt që të paraqitemi së më mirë në këtë lojë”, shprehet Batatina për Gazetën Enigma.
Trajneri nga Podujeva thotë se skuadra e tij do t’i tregojë vlerat në fushën e lojës ndaj skuadrës së Malit të Zi.
“Jemi një skuadër që jemi përgatitur maksimalisht dhe jemi të gatshëm për ndeshjen që do të na pret, në bazë të cilësisë, kualitetit dhe prurjet që i kemi bërë, mendoj që jena një skuadër shumë cilësore dhe do t’i tregojmë vlerat tona në fushë”, thotë ai.
44-vjeçari beson te skuadra e tij se do të marrin rezultat pozitiv në Podgoricë në ndeshjen ndaj Buducnostit.
“Na presim që së paku të marrim një rezultat pozitiv, ne do të shkojmë për një rezultat pozitiv, nuk udhëtojmë për asgjë tjetër, vetëm për rezultat pozitiv, do të jem të vëmendshëm të vetëdijshëm do ta bëjmë maksimumin, nuk do të mundemi, por do të mundohemi që gradualisht të arrijmë deri të një sukses dhe arritja e një objektivi që e kemi”, thotë ai.
‘Besoj që mund të marrim rezultat pozitiv nuk do të jetë ndeshje e lehtë, presioni nuk është te ne, por në anën e kundërshtarit, ne duhet ta bartim presionin te kundërshtari në lojën e parë dhe na mbetet vetëm t’i realizojmë ato objektiva të cilat i kemi në këtë ndeshje”.
Ai thotë se e ka analizuar çdo detaj të kundërshtarit nga portieri e deri te sulmuesi.
“Kam arritur ta analizojë skuadrën e Buducnostit e di çdo detaj të kundërshtarit nga portieri deri te sulmuesi, të gjitha detajet e kundërshtarit i njohë shumë mirë, i njohë lojtarët, i njohë edhe filzofinë e lojës se çfare e aplikon e njohë edhe pjesën taktike se si luan taktikisht”, thotë Batatina.
“Mendoj që jena mëndu me ekip ta studiojmë kundërshtarin e kemi studiuar çdo repart dhe çdo hapësirë, ato pikat e forta dhe pikat e dobëta ku i ka dhe unë mendoj që do të mundohemi t’i bëjmë të parealizueshme pikat e tyre të forta dhe do të mundohemi t’i ndëshkojmë ato pikat ku është më e dobët skuadra e Buducnostit”, përfundon Batatina.
/GAZETA ENIGMA/