Një ndërhyrje e pazakontë është realizuar në ditën e djeshme në Kosovë. Një 33-vjeçarit i është hequr nga barku telefoni, pasi katër ditë më parë e kishte gëlltitur atë.
Për rastin njoftoi i pari doktor Skender Telaku, ndërsa në opinion mori vëmendje të madhe. Se sika shkuar kjo ndërhyrje dhe është e rrezikshme gëlltitja e telefonit, doktor Teleku ka dhënë detaje.
Doktor Telaku tha se fillimisht nga barku i 33-vjeçarit u nxorën kapakët e telefonit e më pas bateria, kjo e fundit konsiderohet më e rrezikshmja.
“Ata më thirrën për një rast, ishte një person që kishte gëlltit një trup të huaj, u desht të bëhet gastroskopia me urgjencë, kur hynëm në lukth e pam që ishte telefoni i ndarë në pjesë tri pjesë. Një pjesë ishte kapaku i përparshëm dhe i pasmi i plastikës, plus bateria brenda. Hyjmë me pajiset që I kemi këtu, njëherë e nxorëm një pjesë, mandej pjesën tjetër, në fund e nxorëm edhe baterinë, nga të gjitha këto pjesë bateria është më e rrezikshmja sepse ajo pjesë ishte ajur dhe mund të shpërthejë. Mund të lëshojë materie kimike dhe mund t’i shpërthejë zorrët”, tha Teleku.
Ai tha se për nxjerrjen e telefonit është punuar rreth dy orë.
“Kjo nuk është operacion, është rrugë endoskopike, nga goja e kemi nxjerrë, sikur të mos kishim sukses do të duhej me pre barkun dhe me nxjerrë nga barku. Jemi mundu dy orë dhe u nxorr”.
Doktori nuk përmendi arsyet që kanë çuar 33-vjeçarin deri te gëlltitja e telefonit, por tha se pacienti tani është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Të premten e ka përbi deri të hënën i ka qëndru.Pacienti mirë është, e nxorrëm, nuk është lehtë me punu në dy orë, por shpërthim nuk pati”, tha tutje doktori për Gazetën Express.
Ai shtoi se ka raste të ndryshme kur përpihen trupa të huaj si protezat e dhëmbëve etj.
“Diku ndodhin spontanisht, e diku me qëllim”, përfundoi ai.
Pamje të telefonit që qëndroi katër ditë në stomakun e pacientit ka publikuar doktor Skender Telaku.
“Mashkulli 33 vjec para 4 ditesh kishte perbire nje telefon te vogel. Me rruge endoskopike, pra pa e prere lukthin, nxorrem telefonin e ndare ne tri pjese. Pa komplikime”, ka shkruar ai.