BDI-ja i quan deklarimet e Kurtit për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni “të pavërteta dhe të papranueshme”

BDI-ja i quan deklarimet e Kurtit për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni “të pavërteta dhe të papranueshme”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Deklaratat e Kurtit ata i kanë cilësuar si “të pavërteta dhe të papranueshme”.

“Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: ‘Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj’ Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksohet në reagim.

BDI-ja në reagimin e saj thekson se “është për keqardhje që Kurti jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Ky moment duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, veçanërisht kur janë në rrezik arritjet tona historike. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të pranojnë kurrë asnjë hap prapa në të drejtat e tyre”. Kryeministri Kurti, gjatë konferencë së përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të mbajtur të hënën ka thënë se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët. / Gazeta Enigma.

Related Articles