Bashkimi Evropian ka reaguar pas procesit të certifikimit të partive politike për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke shprehur zhgënjim për moscertifikimin e dy subjekteve politike serbe.
“BE-ja shpreh zhgënjim për moscertifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të BE-së.
Deklarata thekson se karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale është i rëndësishëm për marrëdhënien e ardhshme mes Kosovës dhe BE-së.
“Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin postet e tyre në gjithë Kosovën, bazuar në një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, theksohet në deklaratë.
BE-ja kërkon nga institucionet përgjegjëse që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ne presim që institucionet përgjegjëse të sigurojnë që i gjithë procesi i certifikimit, përfshirë edhe ankesat e mundshme, të zhvillohet plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe parimet e Sundimit të Ligjit”, thuhet tutje.
Në deklarate theksohet se përjashtimi i aktorëve politikë bie ndesh me parimet demokratike.
“Çdo përjashtim i aktorëve politikë bie ndesh me parimin themelor të pjesëmarrjes kuptimplote demokratike të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor.”
BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet.