Bashkimi Evropian tha se është i gatshëm që të lehtësojë diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të dialogut në Bruksel.
Një zëdhënës i BE-së, Peter Stano tha se çfarëdo propozimi që palët mund të kenë për çështjen e Asociacionit duhet ta bëjnë në kuadër të dialogut. Stano iu përgjigj kërkesës gjashtëpikëshe me kushte të kryeministrit Kurti për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut”, tha Stano për RTV21.
“BE-ja është e gatshme të lehtësojë diskutimet mbi Asociacionin/Bashkësinë në takimet e ardhshme të dialogut”, tha Stano.
Kryeministri Albin Kurti, në një paraqitje në Kuvendin e Kosovës prezantoi gjashtë pika për mundësinë e themelimit të Asociacionit, pas një periudhë të gjatë të refuziit për t’u marr me problemin. Trysnia ndërkombëtare ka shtyrë kryeministrin të shqyrtojë mundësinë e themeloit të Asocacionit. Në paraqitjen në Kuvend, Kryeministri Kurti radhiti kushtet:
1. Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.
Bashkësia ndërkombëtare, në veçanti SHBA-ja i bëri trysni Qeverisë së Kosovës që të nisë zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por tha se në këtë process duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe Kushtetuta e Kosovës. I dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar, ndërkohë në një paraqitje të tij ka thënë se marrëveshja për Asocacionin është obligim ligjor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jo ndërmjet Kurtit dhe Serbisë”.
Ambasadori amerikan në Prishitnë, Jeffrey Hovenier ndërkohë, ka nisur konsultat me përfaqësues të shoqërisë civile, të partive politike dhe institucioneve të Kosovës për cështjen e Asociacionit.