Komisioni Evropian ka ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e institucioneve funksionale në Kosovë, gjë që po vonon procesin e ratifikimit të marrëveshjeve të nevojshme për zbatimin e Planit të Rritjes – një program prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Brukselit, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por për këtë duhet së pari të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re. Derisa kjo nuk ndodh, fondet mbesin të bllokuara.
“Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky Plan ofron për qytetarët e tij,” – thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian.
Plani është konsideruar si paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për rajonin, që parasheh grante dhe kredi me kushte të favorshme për reformat, zhvillimin ekonomik dhe afrimin me tregun e përbashkët evropian.
Zyrtarët evropianë e kanë bërë të qartë se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, përfshirë funksionalizimin e institucioneve, mund të bëhet lirimi i fondeve për Kosovën.