Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor, raporton Gazeta “Enigma”.
Reagimi i BE-së u bë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.
Bashkimi Evropian ka reaguar pas akuzave që iu bënë të dielën Gjykatës Kushtetuese nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, të dy liderë të partisë fituese të zgjedhjeve – Vetëvendosje.
Zyra e BE-së në Kosovë u kanë bëtë thirrje politikanëve që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor.
“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, ka thënë Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë, për Kohën.