Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se përgjigjet e Kosovosë dhe Serbisë ndaj propozimit franko-gjerman janë ende duke u studiuar, por se prioritet aktual është de-përshkallëzimi i situatës në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka një obligim të qartë për formimin e një bashkësie të komunave serbe dhe paralajmëroi se ngjarjet në Kosovë mund të kenë pasoja për të gjithë rajonin.
“Është obligim i qartë i Kosovës që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e një asociacioni të komunave serbe. Ky është një obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme jo vetëm që cenon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, tha Stano në konferencën për media.
Zëdhënësi i BE-së tha se ditët e fundit kemi parë një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në veri të Kosovës.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe theksoi se tani i takon Beogradit dhe Prishtinës që të përmbushin obligimet e tyre nga Marrëveshja e Brukselit.
Ai shtoi se përmbushja e obligimeve dhe kthimi në dialog është dalja nga situata aktuale dhe rruga që çon në perspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës.