BE-ja me kërkesë për Kosovën që ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë

BE-ja me kërkesë për Kosovën që ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë

Institucioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka bërë një kërkesë ndaj Kosovës që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë.

Kjo për t’iu dhënë konsumatorëve vendorë të drejtën e lirë për të zgjedhur funizuesin e tyre, meqë kompania turke KEDS, e mbanë aktualisht monopolin në sektor.

Institucionet e Kosovës tashmë disa vite më parë janë zotuar për të bërë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, në kuadër të zotimeve që kanë bërë përballë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra, edhe për energjinë elektrike me pakicë.

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi dhe për të trajtuar varfërinë energjetike”.

“Prandaj vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës  (ZRRE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, tha Pisonero.

Ndryshe, edhe partitë opozitare, LDK, AAK dhe PDK kanë bërë thirrje nga qeveria për liberliziminin e tregut, derisa sot edhe do të organizohet seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

Qeveria dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet. /Gazeta Enigma/.

Related Articles