Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.
Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.
Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimit me partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
