Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë përkohësisht takimet me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në një letër drejtuar institucioneve kosovare, shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë theksojnë se ky vendim është marrë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të datës 25 qershor 2025, i cili konstatoi shkelje kushtetuese lidhur me ushtrimin njëkohësisht të funksioneve ministrore dhe parlamentare.
“Vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë,” thuhet në letrën e BE-së.
Ky vendim, sipas BE-së, është një shenjë përkushtimi ndaj sundimit të ligjit, integritetit institucional dhe llogaridhënies demokratike. Letra nënvizon gjithashtu se ky veprim synon të shmangë paqartësi të mëtejshme, si ajo e regjistruar gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi.
BE ka rikonfirmuar angazhimin për bashkëpunim konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe ka shprehur shpresën për formimin sa më të shpejtë të një qeverie me mandat të plotë, në mënyrë që marrëdhëniet të rifillojnë plotësisht në nivel politik dhe ekonomik.