BE shpreh “shqetësim serioz” për mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga KQZ-ja

BE shpreh “shqetësim serioz” për mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga KQZ-ja

Bashkimi Evropian ka shprehur “shqetësim serioz” për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

KQZ-ja i miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por jo rezultatet për Listën Serbe.

Moskonfirmimi i nëntë anëtarëve të Listës Serbe në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës u dënua ashpër nga vetë partia dhe Beogradi zyrtar.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.

Lista Serbe, parti e cila mbështetet nga Beogradi, paraqiti një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 2 shkurt, lidhur me vendimin e KQZ-së.

Lista Serbe e përshkroi vendimin e 2 shkurtit si “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke thënë se ai anulonte më shumë se 42.000 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Në ato zgjedhje, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Related Articles