Buxheti i rishikuar për vitin 2021 është rreth 2.5 miliardë euro, ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro, raporton Gazeta Enigma.
Ky është edhe buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri më tani, përkundër problemeve gjatë këtyre dy viteve si pasojë e pandemisë COVID-19.
Njohësit e çështjeve ekonomike në vend, po vlerësojnë se alokimi i këtyre mjeteve duhet të jetë në drejtim të sektorit privat dhe drejt zhvillimit ekonomik e në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se Qeveria mund t’i arrijë planet e veta, por që bizneset jo pasi që sipas tij, rimëkëmbja ekonomike është lënë anash.
Mes tjerash ai thotë se kërkesat e qytetarëve dhe gatishmëria e ndërmarrësve vendor është me ambiciet më të mëdha në Ballkan.
“Është një nga buxhetet më të mëdha që janë paraparë pas lufte, dhe besoj që institucionet e shtetit të Kosovës do të mund të projektojnë më shumë se 2.4, por duke pas parasysh se të hyrat kryesore vinë nga Dogana dhe ATK-ja atëherë pak këta kanë mundur të lëvizin në rritje më të madhe të buxhetit, e që kërkesat e qytetarëve dhe gatishmëria e ndërmarrësve kosovar është me ambiciet më të mëdha në Ballkan”.
“…me siguri se qeveria mund ti arrijë planet e veta por bizneset jo, për arsye se rimëkëmbja ka mbetur anash, ka mbetur shumë projeksione infrastrukturore të cilat do të duhej të mbyllen dhe kjo do të ndihmon në futje dhe dhënien e punëve të ndryshme të ndërmarrjeve ndërtimore, e që tash janë më të reduktuara e që kjo ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik”.
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ndan të njëjtin mendim, pasi që thotë se mjetet duhet të orientohen në drejtim të sektorit privat.
Ai thotë se sa i përket rimëkëmbjes ekonomike Kosova ka ngecur në krahasim me vendet e rajonit.
“Kohëve të fundit janë disa indikatorë pozitivë sa i përket rritjes së të hyrave në Doganën e Kosovës dhe në ATK, është një trend pozitiv edhe sa i përket Trustit pensional, mirëpo duhet të kuptohet që e tëra kjo vjen si rrjedhojë e rritjes enorme të çmimit të produkteve strategjike. Në këtë krizë nuk kemi eufori dhe arsye të thuhet se këto trendë do të garantojnë zhvillim ekonomik. Ju po e shihni se alokimet janë më tepër në politikë sociale pasi që kemi shkurtim të projekteve kapitale nga 528 milionë diku në 128 milionë euro dhe e dyta në aspektin e rimëkëmbjes ekonomike Kosova është duke ngecur në krahasim me vendet e rajonit”.
“Alokimi duhet të jetë drejt sektorit privat, drejt zhvillimit ekonomik në veçanti të ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe jo të gjithmonë të jetë prioritet aspekti social, dhe duhet të kuptohet që një ndër alokimet kryesore që është bërë në këtë buxhet se si të vi deri të fuzionomi i disa dikastereve dhe ju e dini që kemi tkurrje të ministrive dhe alokimi ka qenë më tepër në funksionalizimin e këtyre institucioneve”.
Ai po kërkon që institucionet e vendit të orientohen në sundimin e rendit dhe ligjit dhe të jenë të orientuara nga mjetet që vinë prej diasporës dhe jo në konsum.
“Duhet të orientohemi në sundimin e rendit dhe ligjit, duhet të jemi të orientuar në alokimin e mjeteve që vinë nga diaspora dhe jo në konsum por në investime dhe e tëra kjo duhet të ndikojë në një stabilitet politik sepse pa stabilitet politik nuk mund të ketë investime të huaja”./Gazeta Enigma/