Bekë Berisha tregon arsyjen pse u largua nga posti i kryetarit të KB Prishtinës

Bekë Berisha tregon arsyjen pse u largua nga posti i kryetarit të KB Prishtinës

Menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së klubit me tifozërinë “Plisat”, Bekë Berisha ka dhënë sqarime se pse nuk mund të jetë kryetar i klubit “bardhekaltër”.

Ai ka thënë se do të emërohet një ushtrues detyre i këtij posti, ndërsa ka kërkuar unitet për të mirën e klubit.

“Unë në bashkëpunim me klubin do ta emërojmë një ushtrues detyre. E kam një segment kohor deri sa ta jap betimin si deputet. Unë nuk e di se si do të jetë vendimi i Agjencionit Anti-Korrupsion, mirëpo, sido që të jetë ai, klubi do të jetë i njerëzve, i dashamirëve të sportit. Do të thotë, unë e kam të pamundur ndoshta ta ushtroj këtë detyrë. I falënderoj delegatët që ma kanë dhënë besimin, të gjithë atyre që kanë pasur besim. Dhe kam qenë i gatshëm me sinqeritet të punojë, ta avancojë këtë klub. Mirëpo, është shumë e rëndësishme të ketë unitet. Do të thotë, këta djem të jenë të gjithë së bashku, edhe qytetarët, edhe ‘Plisat’, edhe delegatët, edhe ata që kanë punuar deri sot këtu. Qëllimi im është të kemi unitet dhe të bashkuar. Sepse duke qenë të bashkuar, vetëm ashtu mund të arrijmë deri te suksesi”, deklaroi Berisha menjëherë pas mbledhjes së mbajtur të shtunën.

Ai ka thënë se takimi është mbajtur për t’i sqaruar keqkuptimet dhe për t’i dëgjuar propozimet e ‘Plisave’ për të dalë nga problemet rreth klubit.

“Këta i kanë kërkesat e tyre, i kanë të mira, unë jam për t’ua përkrahur. Mirëpo, nga aspekti legal dhe ligjor, duhet të marrim vendimin ta emërojmë një ushtrues detyre të Presidentit të klubit dhe të vazhdojmë me punë”, ka shtuar tutje Berisha.

Berisha, që ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe ka marrë votat për të qenë deputet për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, nuk ka dhënë emër se kush mund të jetë ushtrues detyre i kryetarit.

“Jemi në negociata. Tani nuk mund të marrim vendim sepse duhet të bazohemi në status për t’i bërë të gjitha veprimet. Një veprim që e kam bërë, atë pjesën që është dashur ta mbush me anëtarë të bordit, e kam bërë, sot i kam emëruar disa dhe do t’iu tregojmë më vonë kush janë. Është mirë ta respektojmë pjesën ligjore. Besoj se do ta gjejmë një kompromis të mirë, për të mirën e klubit të basketbollit Prishtina”, deklaroi ai.

Related Articles