Ben-Meir thotë se Kosova të ketë kujdes nga agjenda islamike e Erdoganit

Ben-Meir thotë se Kosova të ketë kujdes nga agjenda islamike e Erdoganit

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir tha se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të kujdesshme me iniciativën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ditë më parë tha se së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, do të angazhohet që të sigurojë njohje të reja për Kosovën.

Ben-Meir, që është profesor pranë Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se është në rregull që Kosova të ketë raporte të mira me Turqinë, por sipas tij Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti si dhe agjendës islamike të Erdoganit.

“Çdokush që e mbështet apo që bën fushatë për t’i shtyrë shtetet e tjera që të njohin Kosovën, është i mirëseardhur. Por, sido që të jetë, unë kam dyshime serioze sa i takon synimeve të (Recep Tayyip) Erdogan dhe Turqisë.

Presidenti Erdogan është një narcizist, egocentrik, nacionalist islamik dhe ndoshta çfarë dëshiron të bëjë është që të promovojë agjendën e tij dhe krejt çfarë mund t’i them popullit të Kosovës është se është shumë në rregull të kesh raporte të mira me Turqinë, por Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së Erdoganit si dhe agjendës së tij islamike. Ky do të ishte gabim.

Kjo është ajo që Turqia po bën sot, duke u përpjekur të tregojë që e mbështetë Kosovën, por në të njëjtën kohë Erdogani dëshiron të marrë diçka nga Kosova. Këtu i këshillojë njerëzit që të jenë të kujdesshëm sesa mund t’i besohet Erdoganit”.

Profesori Ben-Meir në këtë intervistë flet edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin proces nuk është shumë optimist se shpejt mund të përfundojë me një marrëveshje finale.

Sipas tij, nëse Recep Tayyip Erdogan do të dëshironte që më shumë shtete ta njohin Kosovën, ai do të duhej që të përdorte raportet e tij të tërthorta dhe të bisedonte me Rusinë sepse Rusia është kundër faktit që Serbia ta njohë Kosovën.

“Pra, ai do të mund të përdorte këtë anë të tij, si një mik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën. Ky do të duhej të ishte angazhimi i tij përpara se të mundohet që t’i bindë disa shtete që të njohin Kosovën. Këtu esenciale është njohja nga OKB-ja dhe njohja nga Serbia, dhe ky duhet të jetë fokusi.

Çdo ndihmë që vjen nga kushdo është e mirëseardhur, edhe pse unë kam dyshime dhe jam dyshues sa i takon qëllimeve personale të Erdoganit dhe se çfarë në të vërtetë dëshiron të promovojë”.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen përfundimtare.

“Nuk mund të them se do të ndodhë shumë shpejt, për një, dy apo tre vjet me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Por, është më rëndësi që për të shtyrë përpara këtë proces të bëhet një lloj presioni mbi Serbinë.

Për shembull komuniteti ndërkombëtar do të mund të punonte më shumë me Kosovën, më shumë sesa që janë duke punuar tani, që të ndihmojnë Kosovën që ta pastrojë shtëpinë e saj, që të ndihmojnë në zhvillim ekonomik, zhvillim institucional dhe zhvillim të demokracisë. Këtë do të duhej bërë në mënyrë që ta ofrojnë më shumë me kulturën dhe vlerat evropiane, në mënyrë që të jetë e gatshme për integrim në një pikë të caktuar”.

“Kjo qasje e BE-së me Kosovën mund të vendosë presion indirekt mbi Serbinë dhe Serbia do të shohë se Kosova është duke u ofruar çdo ditë e më shumë me BE-në. BE-ja po ashtu nuk duhet të ndalet kurrë duke adresuar një pikë: çdo çështje është e rëndësishme në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe është i mirëpritur çfarëdolloj normalizimi, por nuk mund të jetë në llogari të pavarësisë së Kosovës”.

Ben Meir ka folur edhe rreth përfshirjes së SHBA-së në bisedime, gjegjësisht rreth emërimit të një emisari për dialogun.

“Mendoj se për aq gjatë se SHBA-ja është një fuqi dhe partner i rëndësishëm në hemisferën perëndimore, SHBA-ja, sidomos tani e përfaqësuar nga presidenti, Joe Biden që krahasuar me ish-presidentin, Donald Trump, çfarë mund të them?! Pra, të kemi një përfaqësues të tij në këtë dialog, gjithmonë është një ndihmë. Është mirë të kemi një përfaqësues të tillë dhe me sa kam informacione, do të emërohet një i tillë”, tha ai për REL.

Related Articles