Berisha: Qeveria e Kosovës po shpërdoron fondet publike – kërkon hetim të pavarur për aferën e granteve

Berisha: Qeveria e Kosovës po shpërdoron fondet publike – kërkon hetim të pavarur për aferën e granteve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për shpërdorim të fondeve publike dhe për keqmenaxhim të granteve dhe subvencioneve, duke theksuar se këto veprime përbëjnë një “formë korruptive të vjedhjes së buxhetit publik”, shkruan Enigma.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Berisha ka kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur për të zbardhur rrethanat e dhënies së granteve dhe ka theksuar se rasti i dhënies së grantit për vëllaun e deputetes, Fitore Pacolli, është një shembull i “nepotizmit dhe krimit të organizuar financiar që po mbulon çdo ditë e më shumë qeverisjen aktuale.”

“Rasti i dekonspiruar në media dhe institucione është një shembull i qartë i nepotizmit dhe krimit të organizuar financiar. Kjo qeveri po shërben vetëm interesave të ngushta, familjare dhe partiake, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në proceset shtetërore,” ka thënë Berisha, duke shtuar se “favorizimi i individëve të lidhur me strukturat partiake është një problem i thellë për çdo shoqëri që aspiron për transparencë dhe përgjegjshmëri.”

Berisha ka kritikuar ashpër ministrin Faton Peci për mbrojtjen e këtij veprimi dhe ka theksuar se “deklaratat e ministrit për të mbrojtur këtë veprim vetëm sa shtojnë dyshimet për korrupsion dhe nepotizëm.”

Ai ka përmendur një rast konkret, atë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila nuk ka marrë mbështetje për ndihmë, ndërsa individë të lidhur me pushtetin janë favorizuar.

“Refuzimi për të mbështetur Fahrije Hotin, e cila humbi familjen gjatë luftës, përballë mbështetjes së individëve të lidhur me pushtetin, është një padrejtësi e dukshme,” ka thënë Berisha.

Një tjetër pikë e diskutuar nga Berisha ka qenë justifikimi i ministrit Peci për dhënien e granteve bazuar në përkatësinë partiake.

“Argumenti i dhënë nga ministri që ‘438,000 votuesit e ndryshimit’ kanë prioritet është një arsyetim i papranueshëm dhe shkel parimet e barazisë dhe drejtësisë,” ka shtuar ai.

Deputeti i PDK-së ka kërkuar një hetim të plotë të veprimeve të ministrave dhe të organeve shtetërore për të siguruar që fondet publike të përdoren për të mirën e qytetarëve dhe jo për përfitime të ngushta partiake dhe familjare.

“Ky lloj përdorimi i pushtetit për të shpërblyer miqtë dhe të afërmit, duke dëmtuar qytetarët e zakonshëm, është një abuzim i hapur me besimin publik,” ka thënë ai.

“Është evidente se kjo qeveri e ka humbur kredibilitetin dhe të drejtën për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.
Krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi qëndrojnë në kundërshtim të hapur me premtimet për drejtësi sociale dhe ndryshim që kjo mazhorancë premtoi në kampanjë elektorale.
Është koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie!
Pyetja që ngrihet natyrshëm është: a është kjo drejtësia dhe ndryshimi i premtuar nga kjo qeveri? Ky rast kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi të qartë për të siguruar që fondet publike të mos shërbejnë për interesat e ngushta të pushtetit, por për të mirën e përgjithshme të qytetarëve”, ka përfunduar ai. / Gazeta Enigma/

Related Articles