Beteja e ashpër në zgjedhjet lokale nxit koalicione “surprizuese” mes partive garuese – Çka po ndodh?

Beteja e ashpër në zgjedhjet lokale nxit koalicione “surprizuese” mes partive garuese – Çka po ndodh?

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që zhvillohet më 9 nëntor 2025 për 18 komuna në Kosovë, në fokus janë lëvizjet e koalicioneve mes partive politike, të cilat mund të përcaktojnë ndryshimin në balotazh, shkruan Gazeta “Enigma”.

Me disa marrëveshje të arritura dhe të tjera që po negociohen me ritëm të shpejtë, balotazhi pritet të sjellë garë të ashpër dhe surpriza elektorale.

Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat që do të shkojnë në balotazh.

Koalicioneve aktualisht po i prin Lëvizja Vetëvendosje, e cila garon në shumicën e komunave që kanë shkuar në balotazh.

LVV-ja po kryeson garën edhe në koalicionet e arritura, dhe ofertave që ende nuk kanë marrë përgjigjje zyrtare, për bashkëpunim në raundin e dytë.

Kush me kënd i bashkoi forcat?

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë bërë bashkë në Vushtrri për garën e balotazhit në këtë komunë, ku i pret kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi.

Në këtë garë, Idrizi ndiqet nga kandidati i LVV-së, Sylejman Meholli, i cili në raundin e parë ka arritur 9,342 vota, apo 30.80%.

Xhafer Tahiri, i cili iu bashkua në këtë garë, doli i treti me 6,030 vota apo 19.88%. Koalicioni i tyre u jep gjasa reale të mposhtin Idrizin, i cili grumbulloi 13,712 vota apo 45.21%.

Megjithatë, ky koalicion i nënshkruar është kundërshtuar nga LDK-ja në qendër, e cila ka paralajmëruar masa konform statutit, por pas përfundimit të raundit të dytë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje koalicioni në garën e balotazhit për komunën e Fushë Kosovës.

Kandidatja Vildane Latifi u rreshtua përkrah Valon Prebrezës së VV-së.

Prebreza, i cili doli i pari në garën për Fushë Kosovën, më 9 nëntor ballafaqohet me Besnik Osmanin e LDK-së.

Ky i fundit ka lidhur koalicion me PDK-në në garën për këtë komunë, me qëllim që të garojnë së bashku kundër kandidatit të Vetëvendosjes.

AAK dhe Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazh edhe në komunën e Junikut.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i degës së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni, i cili tha se marrëveshja është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat “në dobi të qytetarëve dhe për krijimin e një qeverisjeje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme”.

Këto dy parti po gjejnë gjuhë të përbashkët edhe në Prizren.

Kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, ka njoftuar lidhjen e koalicionit me Artan Abrashin e VV-së, duke thënë se mbeten të përkushtuara të jenë pranë qytetarëve dhe në shërbim të tyre.

Abrashi sot ka njoftuar se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Rome e Ashkalinjve të Bashkuar të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli.

Kjo është marrëveshja e tretë për balotazh e Abrashit, pasi më herët lidhi koalicion edhe me “NDS”-në e Emilija Rexhepit.

Nga PDK-ja, është bërë zyrtar koalicioni për Komunën e Mitrovicës, mes kandidatit Arian Tahiri dhe Komunitetit Turk, i cili garon kundër Faton Pecit të LVV-së.

Ofertat për koalicion

Pas arritjeve më të mëdha për koalicione zyrtare, LVV po kryeson edhe në ofertat për bashkëpunime në raundin e dytë tëzgjedhjeve lokale.

Në Pejë, Taulant Kelmendi i LVV-së i ka kërkuar publikisht koalicion Ali Berishës së AAK-së në garën kundër LDK-së së Muhaxherit.

Por Berisha tha se është në pritje edhe të një oferte nga LDK-ja, për të shqyrtuar të gjitha mundësitë.

Në Prishtinë, balotazhi mes LDK-së dhe VV-së ende nuk ka shenja të bashkëpunimit mes partive. Klima e njëjtë shihet edhe në Mitrovicë, ku më 9 nëntor garojnë Arian Tahiri i PDK-së dhe Faton Peci i LVV-së.

Në Gjilan, Alban Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arbër Ismajli nga radhët e LDK-së sfidohen në raundin e dytë.

Siç mëson ekskluzivisht Gazeta “Enigma”, Arbër Ismajli dhe dega në Gjilan ka nisur një ofansivë të plotë për balotazhin e nëntë nëntorit.

LDK ka kërkuar mbështetjen e dy partive të tjera opozitare PDK-së dhe AAK-së, derisa bisedimet janë pothuajse në fazën finale.

Siç mëson Gazeta “Enigma”, të shtunën më 1 nëntor, kandidati Arbër Ismajli do të mbajë një tubim së bashku me Riad Rashitin, ish-kandidatin e PDK-së për komunën e Gjilanit në fshatin Malishevë.

Edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga subjektet politike, tashmë është e qartë që bashkëpunimi ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në Gjilan është afër të ndodh.

Në Gjakovës, Ardian Gola i LVV-së, i është drejtuar me një letër publike kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shefqet Shehu, ku i propozon bashkëpunim për rundin e dytë të zgjedhjeve. Gola i ka kërkuar Shehut që të mbështesë kandidaturën e tij në balotazh, ku ai do të përballet me Ardian Gjinin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Partitë politikë nuk janë asnjëherë transparente sa duhet për aleancat që bëjnë”

Analisti i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën “Enigma” se partitë politike nuk janë transparente në koalicionet që bëjnë, megjithse, siç tha ai, vërehet se ka një metodologji më përafruese mes partive politike në nivelin lokal.

“Është një betejë interesante se çfarë kombinatorikash mund të bëhen. Partitë politike asnjëherë nuk janë sa duhet transparente, as burimet e financimit e as çartësia në aleancat që do t’i bëjnë. Ajo që po shihet qartë është që pa marrë parasysh diferencat dhe polarizimit që i kanë në nivel qendror, në nivel lokal ka një metodologji tjetër, e cila po shihet që është më përafruese. Se sa do të jetë efektive, varet nga votuesi, sepse jo gjithherë ftesa e një subjekti politik të votojë një parti e mos të votoj një tjetër, shndërrohet në numra real dhe përqindje reale të përkrahjes. Sidoqoftë, ndikimi i udhëheqjes komunale dhe qendrore i një partie ndikon në këto raste, kur koalicionet bëhet në balotazh”, tha ai.

Tutje, Baraliu shprehet se interesi partiak është më i madh për koalicione, sidomos në qendrat e mëdha.

“Interesat e lidershipit të partive politike nga qendra janë të tillë që sa më shumë komuna të marrin, për arsyje se përveç ndikimit politik në ato komuna, është edhe ndikimi në beneficione të caktuara, investimet kapitale, prestigjit politik dhe numrit të rritur të votuesve potencial në cilin do nivel të zgjedhjeve që mbahen. Mund të ketë aleanca, sepse nuk është e njejtë të fitohet një komunë, sidomos në këto shtatë qendrat e mëdha, veçanërisht në Prishtinë. Prandaj, është e pritshme që të ketë aleanca, qofshin ato publike apo të padeklaruara”, shtoi ai.

Profesori universitar tha se ofrimi i LVV-së për koalicione, vjen si rezultat i një përgjegjësie politike, pas një përvoje jo të këndshme në zgjedhjet e parafundit lokale.

“Përvoja e Lëvizjës Vetëvendosje! në zgjedhjet lokale para 4 vitesh ka qenë e pakëndshme. Pas fitores në zgjedhjet qendrore, në zgjedhjet lokale treguan një neglizhencë dhe ishin të vonuar në propozimin e kandidatëve, mbase ishin jo adekuat në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar komunë atëherë dhe në krahasim me zgjedhjet qendrore, fituan vetëm 4 komuna, ku dy prej të cilave ishin minore. Dhe tani sigurisht interesi politik dhe përgjegjësia që e ndjejnë politikisht pas faktorëve që i përmenda më herët, ata janë shumë të interesuar të fitojnë Mitrovicën, Gjilanin, Prishtinën, Prizrenin, dhe qendrat e tjera ku janë afër”, përfundoi ai./Gazeta Enigma

Related Articles