Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për nivelet e larta të Manganit në ujin e Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badocit.
Ky institut ka njoftuar se nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për mangan.
“Pas marrjes së njoftimit nga Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” përmes postës elektronike (me datë 02. 10. 2024, në orët e pasditës) për ngitjen e vlerave të Manganit në ujin e Liqenit të Badovct si dhe në ujin e trajtuar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit për pije”.
“Ditën e djeshme, ekipi i IKSHPK-së ka ka marrë 16 mostra në Zonën – PR03, e cila furnizohet nga Impianti për trajtimin e ujit në Badovc (mostrat e marra janë të shpërndara në tërë zonën e furnizimit nga ky impiant), me qëllim të pasqyrimit sa më real të gjendjes dhe kryerjes së analizave të ujit.”
“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja tha se të dhënat e analizave të bëra dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj ka rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale,
“Bazuar në të dhënat e deritashme, paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. Kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni”.
“Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”, thuhet tutje në njoftim.
IKSHPK ka bërë edhe disa rekomandime për KRU “Prishtina”:
- Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;
- Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;
- Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;
- Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;
- Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;
- Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.