Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Bislim Zyrapi, i cili mban kodin 04752 në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pyetjet për këtë dëshmitar po i vazhdon prokurorja Clare Lawson, e cila u fokusua konkretisht te disa fotografi të cilat ishin realizuar gjatë kohës së luftës.
“Është shtëpi në Divjakë, pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë shpi ka qëndru Jakupi, Ramë Buja, Sokol Dobruna. Pak është më e shkëputur prej kësaj ndërtese. (Për një ndërtesë tjetër) Aty ka qenë e vendosur kompania e logjistikës e Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari, për një fotografi.
Kurse, për një fotografi tjetër ku shihej një objekt, Zyrapi tha se në atë ndërtesë kishte qëndruar bashkë me Drejtorinë Operative dhe Drejtorinë e Komunikimit.
“Ajo tani është e shkatërrume, por atë kohë ka qenë funksionale dhe kanë qenë të vendosura njësitë vëzhguese pranë Shtabit të Përgjithshëm, sa më kujtohet”, tha dëshmitari, për një objekt tjetër.
Ndërsa, për një fotografi ku shihej një person, dëshmitari tha se ai është Jakup Krasniqi, duke shtuar se mendon që ajo është realizuar në dhjetor të 1998-ës.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi ku shiheshin disa persona, e që Zyrapi bëri identifikimin e tyre.
“Po, mësuesi është eprori i Brigadës 121 që ka qenë, i dyti është Musë Jashari, komandanti i zonës- drejtori i komunikimit në kohë, Naim Maloku i Drejtorisë Operative. S’po e shoh mirë fotografinë… pastaj është Fatmir Limaj sa më kujtohet sa po e shoh, pastaj Jakup Krasniqi dhe në fund andej Ramë Buja”, tha dëshmitari.
Kurse, për një objekt tjetër, Zyrapi tha se është në Fshatin e Ri (Novosellë), përkatësisht në Bjeshkët e Berishës. Sipas tij, në këtë vend ka qenë e vendosur Qeveria e Përkohshme e cila ka dalë nga marrëveshja e Rambujesë.
“Po zakonisht është përdorë si bazë, Qeveri e përkohshme e ka përdorë Hashim Thaçi si pjesë e Qeverisë së Përkohshme. Po folim për kohën pas Rambujesë”, tha dëshmitari, duke theksuar se më herët është përdorur nga Shtabi i Përgjithshëm para se të vendosej në Divjakë.
Pas kësaj, për një ndërtesë tjetër dëshmitari tha se ishte në fshatin Luzhnicë.
“Kjo sipas fotografisë ngjarjes së asaj kohe ka qenë në fshatin Luzhnicë”, tha dëshmitari, duke pohuar se ka qenë atje në vitin 1998.
Në vazhdën e fotografive që për të cilat u dëshmitari, ishin edhe disa fotografi ku shiheshin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm duke përfshirë këtu: Krasniqin, Thaçin, Fatmir Limajn e Rexhep Selimin.
“Po. Në këtë fotografi gjendem unë në anën e majtë, në mes është Hashim Thaçi dhe në të djathtë është Rexhep Selimi. Është bërë sa më kujtohet në Fshatin e Ri”, tha dëshmitari, por mohoi se ka njohuri se kur është bërë ajo fotografi.
“Në këtë fotografi, në anën e majtë është Jakup Krasniqi. Në anën e djathtë është Rexhep Selimi. Mendoj që është në të njëjtin objekt dhe në të njëjtin vend…Në anën e majtë jam unë, në anën e djathtë është Rexhep Selimi dhe është në të njëjtin vend si më parë fotografitë…Në këtë foto në anën e majtë është Jakup Kransiqi, në anën e djathtë Ramë Buja… mendoj mos është në shtëpinë e bardhë në Divjakë… Është Jakup Krasniqi dhe mendoj që prapë në këtë fotografi është tek shtëpia e bardhë në Divjakë. Mendoj, në anën e majtë është Rexhep Sleimi dhe në anën e djathtë është Fatmir Limaj. Fotografia është bërë në të njëjtin objekt ku i shpjegova edhe fotografitë e tjera. Mendoj në Fshatin e Ri”, tha dëshmitari për fotografitë e radhës që iu prezantuan.
Ndryshe, sipas njoftimit të DhSK-së, seanca e sotme do të zgjasë vetëm deri në ora 13:00 për shkak të mungesës së Zyrapit gjatë pjesës së dytë të seancës. Ndonëse është paraparë që do të vazhdojë seanca me ndonjë dëshmitar tjetër, DhSK ka njoftuar se nuk do të ketë tjetër dëshmitar për sot.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.