Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, ka thënë se gjatë takimit që pati sot me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur edhe për termat e referencës për komisionin e përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur.
Bislimi tha se në këtë çështje, pala kosovare ka pasur disa komente, ku sipas tij, pjesa më e madhe e tyre është pranuar nga Lajçaku.
“Ka mbetur vetëm një koment substancial, me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final, i cili do t’i hapte rrugë edhe funksionalizimit të komisionit të përbashkët”, tha Bislimi.
Tutje, ai tha se me Lajçakun, ka folur edhe për termat e referencës për komitetin e përbashkët që merret me monitorizimin e zbatimit të marrëveshjes bazë.
“Pala kosovare ka prezantuar komentet e veta. Komentet tona kanë të bëjnë kryesisht me nevojën që Komiteti i përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara me marrëveshjen bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e marrëveshjes dhe s’ka kompetenca vendimmarrëse. Kemi shkëmbyer dokumentet dhe edhe këtu presim të ecim tutje”, tha ai.